Presioni po rritet nga të gjitha anët për rritjen e pagës minimale. Kërkesës për rritje të pagave, përveç Federatës së Sindikatave të Maqedonisë, iu bashkuan edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë. Propozimi për rritjen e minimumit në 500 euro, duke mbajtur të njëjtat kontribute, pra punëdhënësit të mos paguajnë kontribute shtesë për diferencën nga rritja, është i pranueshëm nga sindikatat.
Megjithatë, punëdhënësit besojnë se shteti nuk mund të qëndrojë mënjanë dhe këtë çështje ta lë në duar të sindikatave dhe punëdhënësve. Këtu përfshihen punonjësit e sektorit publik dhe pjesa e kontributeve që duhet të mbulohen nga shteti. Prandaj lind pyetja: a është shteti i përgatitur që të gjithë punëtorët t’ua rrisë pagat me 26 për qind?
Qëndrimi i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë është që pagat të rriten në përputhje me dispozitat ligjore, gjegjësisht në mars – paga minimale të rritet në 24.400 denarë dhe asgjë më shumë se kaq.
“Propozimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro, duke mbajtur kontributet në nivelin aktual, nuk është i plotë. Propozimi vlen vetëm për pagën minimale, po për pagat e tjera? Nëse rritet paga minimale, duhet të rriten edhe pagat e tjera, dhe kjo do të thotë kontribute më të larta. Edhe pse një pjesë e këtyre kontributeve do të paguhet nga shteti, pjesa më e madhe do të bjerë mbi supet e punëdhënësve. Për shembull, paga minimale prej 31.500 denarë me tatime aktuale 9.330 denarë dhe tatim personal prej 1.374 denarë, do të thotë se punëdhënësi do të duhet të paguaj 42.213 denarë. Kjo do të thotë se edhe nëse kontributet mbeten të njëjta, do të ketë rritje prej 26 për qind në krahasim me pagën minimale bruto aktuale”, tha Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë.
Ai thotë se nëse rritet paga minimale, do të duhet të rriten të gjitha pagat e tjera në vend. Prandaj, shtrohet pyetja nëse shteti është i përgatitur të rrisë pagat si për punonjësit e sektorit publik, ashtu edhe për atë privat me 26 për qind.
“Nëse rritet vetëm paga minimale dhe nuk ka para për të rritur pagat e tjera, në vend do të krijohet kaos, sepse në disa industri me intensitet të punës, të gjithë punonjësit në kompani duhet të marrin pagën minimale. Për shembull, aktualisht paga mesatare në industrinë e tekstilit është 27 mijë denarë, që do të thotë se nëse paga minimale rritet në 31.500 denarë, të gjithë të punësuarit duhet të marrin të njëjtën pagë. Si atëherë mund të motivojmë punëtorë më të mirë dhe më produktivë në kompani nëse kemi këtë situatë? Prandaj, qëllimi duhet të jetë rritja e produktivitetit në mënyrë që të rritet prodhimi dhe të nxitet zhvillimi ekonomik dhe pastaj të gjithë punëtorët të kenë paga më të larta”, sqaron Dimitrov.
Federata e Sindikatave të Maqedonisë dhe Konfederata e Organizatave Sindikale ndërkohë janë marrë vesh për pagën minimale prej 500 euro, duke pasur parasysh faktin se kostoja e jetesës për punëtorët është rritur jashtëzakonisht shumë.
“Në 12 muaj jemi të paktën 20 për qind më të varfër. Në pagën minimale sindikaliste kemi një rritje prej 10.65 për qind në një vit. Inflacioni në vend nuk mund të jetë 3.5 për qind, por është mbi 10 për qind”, tha Sllobodan Trendafilov, kryetar i LSM.
Edhe Marjan Risteski, kryetar i KSOM-it, mendon se paga minimale duhet të rritet në 500 euro në mënyrë që punëtorët të jenë të kënaqur.
“Shpresoj se Qeveria do të jetë e kënaqur nëse sindikatat dhe punëdhënësit arrijnë marrëveshje, por problemi është se punëdhënësit duhet t’i japin paratë. Ata bërtasin, në rregull, do të rrisim pagën minimale, por do të pushojmë punëtorët. Ata kërcënojnë menjëherë diçka që është e paqëndrueshme. Do të bëjnë gjithçka dhe do të paraqesin argumente të ndryshme vetëm që të mos heqin dorë nga një pjesë e fitimit”, thotë Risteski.
Kryeministri Hristijan Mickoski, ndërkaq, deklaroi se Qeveria do të pranojë çdo gjë për të cilën do të pajtohen punëtorët dhe punëdhënësit. Aktualisht, paga minimale në vend është 22.567 denarë (367 euro). Nëse dy të rritur në një familje fitojnë pagën minimale, ata mezi blejnë gjysmën e produkteve bazë. Sipas statistikave, atyre do t’u nevojiten edhe 18.000 denarë për ta kaluar muajin.
Nga vendet e rajonit, punonjësit në Maqedoninë e Veriut fitojnë pagë minimale më të lartë vetëm se punëtorët në Kosovë dhe Shqipëri. Në fillim të muajit shkurt do të nisë debati për pagën minimale kur do të mbahet mbledhja e Këshillit Ekonomik dhe Social. Punëdhënësit, Sindikatat dhe Qeveria do të ulen në të njëjtën tryezë për të vendosur përfundimisht se sa do të jetë paga minimale nga muaji mars. /Koha/