Derisa rreth spitalit të Tetovës po pastrohen mbetjet e spitalit modular të mbuluar nga hiri, sot në Gjykatën Themelore në Tetovë do të jetë tentativa e katërt për fillimin e gjykimit për këtë zjarr të ndodhur më 8 shtator 2021 në të cilin humbën jetën 14 persona dhe pati disa të lënduar.
Në seancën e kaluar më 8 nëntor, gjyqtari Jordan Velkovski e shtyu shqyrtimin për sot (7 dhjetor) për shkak se njëri nga të akuzuarit nuk kishte mbrojtës. Gjyqtari bëri me dije se nëse herën tjetër nuk siguron avokat, do të duhet të fillojë seancën kryesore pa praninë e avokatit të të pandehurit.
Pas një hetimi dhjetë mujor, fillimi i gjykimit ishte caktuar fillimisht për 6 shtator 2022. Më pas ai u shty për në datën 14 tetor për shkak të mungesës së dy prej të pandehurve. Më 14 tetor, data 8 nëntor u shty për faktin se dy nga të pandehurit nuk kishin avokatë.
Në bankën e të akuzuarve për këtë rast janë ulur ish-drejtorët e spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe mjeku Boban Vuçeski. Si person juridik akuzohet edhe Spitali Klinik i Tetovës.
Prokuroria e Tetovës i ndjek penalisht dy drejtorët Besimi dhe Etemi për veprën penale të krimeve të rënda kundër sigurisë publike dhe mjekun Vuçeski për mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë. Personi juridik ISHP Spitali klinik Tetovë, nga ana tjetër, akuzohet për veprat e shkaktimit të rrezikut publik dhe mosveprimi sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë.(INA)



