Edhe dy muaj e gjysmë pasi u hap thirrja publike, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk e ka zgjedhur operatorin i cili duhet të përgatisë uniformat e reja të policisë. Nga MPB na njoftuan se ende janë duke bërë vlerësim të ofertave.
“Ju njoftojmë se furnizimi me uniforma të terrenit është në fazë të evaluimit, respektivisht se nuk është zgjedhur operator ekonomik”, njoftojnë nga MPB.
Ribrendimi i policisë është paraparë të bëhet me uniforma moderne, cilësore e funksionale, të përpunuara sipas modelit të forcave policore evropiane. Megjithatë, në këto uniforma nuk është paraparë të figurojë edhe gjuha shqipe. Pra, do të shkruajë ПОЛИЦИЈА vetëm në alfabetin cirilik. Ky problem mbeti të rregullohet përmes emblemave të uniformave të cilat siç pati paralajmëruar ish zv.kryeministri i parë, tani kryetar i Çairit, Izet Mexhiti, do të jenë në dy gjuhë.
“Nëpërmjet bexhave ashtu janë ndarë edhe në të kaluarën edhe tash, janë në tenderim të posaçëm për uniformat dhe tenderim të posaçëm për bexhat. Në komunat ku janë me shumicë shqiptare duhet të përdoret dy gjuhësia siç përdoret te zjarrfikëset dhe shëndetësi, bexhat do të jenë në dy gjuhë”, deklaroi Izet Mexhiti – Ish zv.kryeministër.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se tenderi për emblemat, është paraparë të hapet vitin e ardhshëm por nuk u përgjigjen në pyetjen tonë nëse do të jenë në dy gjuhë.
“Në përputhje me buxhetin e MPB-së për vitin 2026, do të parashihet procedurë për furnizim të emblemave në planin për furnizime publike për vitin 2026”, thonë nga MPB.
Siç pati njoftuar ministri i brendshëm Pançe Toshkovski, MPB ka hapur tenderin e uniformave në përputhje me rregulloren e sjellë në vitin 2018. Megjithatë, neni 8 paragrafi 3 nga ligji për përdorimin e gjuhëve, qartë thotë se uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe shëndetësisë, në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj. /Alsat.mk


