Në Gjermani po diskutohet që azilkërkuesit e refuzuar të lejohet të punojnë si migrantë ekonomikë. Për të interesuarit do të përmbushej një ëndërr. Sa të mëdha janë gjasat që kjo të realizohet?
“Pjesa dërrmuese e azilkërkuesve nga Ballkani në thelb vijnë në Gjermani për arsye ekonomike”. “Ky është shpërdorim i së drejtës së azilit dhe bllokim kapacitetesh për ata që përndiqen vërtet”. Këto deklarata politikanësh dhe ekspertësh shoqërojnë prej vitesh kërkesat për azil nga shtetet ballkanike. Për të frenuar shpërdorimin e azilit për arsye ekonomike, Gjermania i shpalli në tetor 2015 shtetet ballkanike Shqipëri, Mal i Zi dhe Kosovë “vende të sigurta të origjinës”.
Kjo do të thotë se kërkesat për azil nga shtetas të këtyre vendeve refuzohen shumë shpejt – synimi është brenda një jave – si “dukshëm të paargumentuara”.
Që atëherë kanë kaluar tri vjet. Një pjesë e madhe azilkërkuesish të refuzuar nga këto shtete janë kthyer në atdhe: shumë janë kthyer vullnetarisht, të tjerë me detyrim. Riatdhesimet vazhdojnë. Por një pjesë tjetër azilkërkuesish të refuzuar ndërkohë ka gjetur punë, ka mësuar gjermanisht dhe ushqen veten. Në tërësi tregu gjerman i punës i integroi edhe më mirë se pritej refugjatët e ardhur në 2015: 1 ndër 4 prej tyre punon sot dhe paguan sigurime sociale.
Kjo është situata kur qeveria e re gjermane deklaron se edhe Gjermania do të hartojë deri në fund të vitit një ligj imigrimi për fuqi punëtore të kualifikuar. Në tryezat e nëpunësve të qeverisë, paralajmërime nga bizneset dhe ekonomia me tone alarmuese: mungesa e punonjësve të kualifikuar është aq e madhe, sa mund ta dëmtojë seriozisht ekonominë gjermane.
Dramatike është mungesa e punonjësve sidomos në profesione si infermieria dhe përkujdesja për të moshuarit. Për 50.000 vende pune bosh në këtë sektor nuk gjenden dot punonjës.
Në këtë situatë, ministri i ri energjik i Shëndetësisë, Jens Spahn i kthen në fillim të korrikut 2018 sytë nga shtete të treta, jashtë Bashkimit Evropian. Ai i deklaron gazetës “Bild am Sonntag” se veçanërisht në Kosovë dhe në Shqipëri ka “një potencial të madh fuqie punëtore të re të kualifikuar”. “Atje kualifikimi shpesh është më i mirë, se sa mendojmë ne”,- deklaron Spahn.
Krejt papritur ky propozim i ministrit megjithatë nuk vjen: me një program të posaçëm, qeveria gjermane u mundëson që në 2016-ën kontigjenteve të shtetasve nga gjashtë shtete ballkanike punësimin e ligjshëm në Gjermani, kryesisht në profesionet në nevojë në Gjermani.
Evoluimi i një koncepti apo diskutime verore?
Kjo është gjendja kur prej korrikut në Gjermani ka nisur të diskutohet një mundësi që më parë shihej si tabu: që azilkërkuesit e refuzuar nga shumë vende të kthehen ligjërisht në migrantë ekonomikë. Kryeministri i landit të Schleswig-Holsteinit, nga CDU, Daniel Günther deklaron se “Ne nuk mund të kërkojmë sanitarë e infermierë në Kosovë…por të kthejmë në shtëpi njerëzit që janë këtu e flasin gjermanisht”. Ai thotë se është fakt që në komuna ka familje të integruara mirë, por që ndodhen para dëbimit.
E reja janë zërat nga CDU, socialdemokratët e kanë mbështetur gjithmonë një qëndrim më liberal ndaj punëkërkuesve. Qëndrim të ngjashëm kanë edhe partitë opozitare, të Gjelbrit dhe Liberaldemokratët.
Ndaj duket konsekuente edhe që tani, si pjesë e qeverisë, ministri socialdemokrat i Financave, Olaf Scholz, nga ministrat më të rëndësishëm në qeverinë gjermane, t’i deklarojë gazetës “Bild am Sonntag” se “nuk ka kuptim që të dëbosh njerëz të integruar mirë, që punojnë dhe fitojnë bukën e gojës”. Ndërsa ministri socialdemokrat i Punës, Hubertus Heil thotë se “nuk duhet të dëbojmë të gabuarit”. Megjithatë: socialdemokratët, ministrat e tyre, janë partneri më i vogël, i ftuar, i qeverisë federale.
Zgjedhjet parlamentare vjet i kanë fituar CDU e CSU që kanë edhe Kancelaren. Dhe në kryesinë e CDU-së azili shihet i ndarë qartë nga migrimi.
E pyetur në intervistën verore, Kancelarja Merkel shpreh drojën se mund të dërgohet një sinjal i gabuar, që njerëzit të vijnë e të kërkojnë azil me shpresën që të punojnë. Një pozicion të ndërmjetëm ka marrë ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier (CDU), ish-shef i Kancelarisë. Ai thotë se nuk ka ngut për shndërrimin e azilkërkuesve të refuzuar në migrantë ekonomikë. Edhe tani azilkërkuesit lejohet të punojnë pas një kohe të shkurtër dhe të nisin një shkollim. E pas kësaj ata kanë garancinë që të qëndrojnë në Gjermani dy vjet, kujton Altmaier.
Cilët azilkërkues mund të kthehen në migrantë?
Mbështetësit e idesë së shndërrimit të azilkërkuesit në migrant ekonomik sqarojnë edhe kufijtë e përfytyrimit. Të pranueshëm ata konsiderojnë azilkërkues të refuzuar, që kanë mësuar gjermanisht dhe që kanë ndonjë kualifikim. Apo që kanë edhe vend pune. Pra ideja është që të lejohet të “ndryshojnë pistat” e procedurave, nga azilkërkues në migrant, ata persona që përmbushin kushtet si çdo punonjës i huaj jo nga BE, i ardhur në Gjermani enkas për punë. Që kjo mos të tërheqë të tjerë që të vijnë në Gjermani, propozohet që të diskutohen ata azilkërkues të refuzuar që kanë ardhur deri në një datë të caktuar në Gjermani. Për shembull, deri në datën kur qeveria të merret me projektligjin e migrimit. Këtë e propozoi kryeministri i Landit të Zarës (Saarland), Tobias Hans. Të tjerë propozojnë si datë kufi 1 gushtin 2018.
Landet gjermane përgjithësisht në mbështetje
Përfaqësuesit e landeve, që janë shprehur, e mbështesin kalimin e “rasteve të vjetra” të azilkërkuesve të refuzuar në migrantë ekonomikë. Në mbështetje janë jo vetëm landet më të vogla të Zarës dhe të Shlesvig-Holshtajnit, por edhe lande të mëdha jugore, ku papunësia është e vogël, 1 deri 2 përqind . Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann (CSU) tha se “synon t’i mbrojë më mirë nga dëbimet azilkërkuesit e refuzuar, por që kryejnë shkollim në profesionet e përkujdesjes”. Qeveria e Bavarisë u ka dhënë udhëzim zyrave të të huajve të Bavarisë që të mos dëbohen azikërkuesit e refuzuar që kanë kryer ose po kryejnë kualifikim për personel sanitar e përkujdesjeje.
Sido që të jetë: deri në këtë moment, kthimin e azilkërkuesve të refuzuar në migrantë ekonomikë nuk e ka paraqitur si propozim formal për miratim askush. Në elementët e projektligjit gjerman për migrimin, që paraqitën në mes të këtij muaji Ministria e Brendshme, Ministria e Punës dhe Ministria e Ekonomisë së Gjermanisë nuk përfshihet mundësia e kalimit nga procedurë azili në procedurë migrimi.
Por mbështetja për këtë propozim po shtohet, për shkak të nevojës: 1.2 milionë vende pune bosh ka aktualisht ekonomia gjermane. Edhe po të korrigjohen këto shifra me gjermanë të papunë, sërish mbeten 440.000 vende pune pa punonjës. Punonjës kërkojnë sidomos sipërmarrjet e vogla dhe ato të artizanatit. Por edhe spitalet dhe shtëpitë e përkujdesjes për të moshuarit./DW/