Brenda pak ditësh do të dihet nëse rasti i njohur në opinion si “Organizatorët e 27 prillit” do të bjerë dhe tre nga katër të pandehurit do të amnistohen plotësisht nga përgjegjësia. Mbrojtja kërkon prej kohësh që ndaj tyre të zbatohet Ligji për Amnisti nga viti 2018, ndërsa muajin e kaluar prokuroria ka dorëzuar mendim pozitiv në gjykatë. Më 23 janar, fjalën përfundimtare do ta japë Gjykata Penale e Shkupit, në krye me gjykatësin Ilija Tërpkov, dhe nëse kjo ndodh, do të thotë se të akuzuarit Mile Janakieski, Spiro Risteski dhe Trajko Veljanoski do të lirohen nga çdo akuzë. Ligji për Amnisti parasheh përjashtim për të pandehurin Vlladimir Atanasovski, ish-drejtor i DSK-së, për të cilin amnistia nuk do të vlejë. Dështimi eventual i këtij rasti për LSDM-në është dëshmi se gjyqësori është i partizuar, kritika kanë ardhur edhe nga BDI-ja, ndërsa kryeministri Mickoski ka refuzuar të komentojë vendimet e gjykatave.
“Ky është vendim gjyqësor, nuk kam çfarë të shtoj, asgjë për të komentuar, mos harroni se si gjatë seancës ashtu edhe gjatë inspektimit ka pasur deklarata kontradiktore nga shumica e pjesëmarrësve në këtë proces”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.
Rasti “Organizatorët e 27 prillit”, i cili ka tërhequr vëmendjen e madhe të publikut, ka të bëjë me akuzat për rrezikim terrorist të rendit kushtetues kundër ish-ministrave Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, kundër ish-drejtorit të DSK-së, Vlladimir Atanasovski, si dhe kundër ish-kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanoski. Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë nga korriku i vitit 2021, me të cilin ish-kryetari i Kuvendit Veljanoski u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim, ish-ministrat Janakieski dhe Ristovski u dënuan me 6 vjet e tre muaj burg, ndërsa ish-drejtori i DSK-së Atanasovski është dënuar me gjashtë vjet burg dhe lënda është kthyer në rigjykim./Alsat.mk