Rreth 30 projekte të propozuara nga artistë e shoqata shqiptare do të jenë pjesë e Programit vjetor të Qytetit të Shkupit për këtë vit nga gjithsej 295. Ose 10 për qind e numrit të përgjithshëm të projekteve që do të realizohen në të gjashtë veprimtaritë dhe për të cilat është akorduar një fond prej 12 milionë denarësh. Nga Qyteti i Shkupit nuk japin ndonjë informacion lidhur me numrin e përgjithshëm të aplikimeve shqiptare, apo sa prej tyre janë refuzuar, por numrin projekteve të financuara në total për këtë vit e cilësojnë një rekord dhe investim që Shkupi të jetë pretendent për të fituar titullin “Kryeqyteti Europian i Kulturës 2028”.
“Numri rekord i aplikacioneve është edhe një dëshmi që kultura është një nga shtysat kryesore në shoqërinë tonë. Prandaj besojmë se investimi ynë jo vetëm që do të kontribuojë në zhvillimin e kulturës në shoqëri, por do të krijojë breza të ardhshëm të cilët do të ushqejnë vlera të ndryshme kulturore! Vetëm në këtë mënyrë mund ta çojmë Shkupin drejt kandidaturës për ‘Kryeqyteti Europian i Kulturës 2028’”, deklarojnë nga Qyteti i Shkupit në shpalljen e projekteve fituese. Programi i Kulturës për vitin e kaluar ishte më i madh se i këtij viti, gjithsej 16 milionë denarë, ndërsa numri i projekteve fituese më i vogël, që nënkupton se edhe fondet në dispozicion për realizimin e tyre kanë qenë më të mëdha.
“Projektet që do të implementohen në gjuhët e komuniteteve, Qyteti i Shkupit i mbështeti me 25% të fondeve totale të buxhetit”, thuhet në lajmërimin për projektet e vitit të kaluar. Sa i takon projekteve shqiptare të vitit 2021 të përzgjedhura si fituese, tek veprimtaria – Artet vizuale dhe mediumet e reja figurojnë dy festivale një Foklorik (60 mijë denarë ) dhe Festivali i Komedisë “Shkupi UP Fest 4” (80 mijë denarë). Në Muzikë, që është një nga sektorët me numrin më të madh të projekteve (gjithsej 95) numërohen 13 projekte, mes të cilave më i financuari është në shumën 100 mijë denarë (Festivali për fëmijë Ylberi ), 80 mijë denarë (Festivali i këngëve qytetare Lira) e të tjera.
Tek veprimtaria botuese nga gjithsej 52 projekte vetëm pesë janë nga autorë shqiptarë. Bashkëpunimi ndërkombëtar (gjithsej 26 projekte) numërohen katër fitues, ndërsa tek sektori Muze, promovimi i turizmit e trashëgimisë kulturore (gjithsej 26) figurojnë dy projekte. Projekti më i kushtueshëm është “Historia e Shkupit” një monografi që realizohet nga “Matica Makedonska”, ndërsa projektet me fondet më të vogla nisin nga 20 mijë denarë, kryesisht shuma të ndara për emra të rinj, në muzikë, letërsi, e të tjera.