Qesharake! Kështu i cilësoi kryeministri Edi Rama kërkesat e vazhdueshme të Kosovës për miratimin e një rezolute nga Kuvendi i Shqipërisë për të njohur e dënuar gjenocidin serb, si dhe rrëzimin e qeverisë Hoti.
Në një konferencë për mediat me temë “Ekonomia në Fokus”, Rama u shpreh se parlamenti shqiptar e ka dënuar me plot 15 rezoluta të miratuara gjenocidin serb, pa kursyer thumbat kundrejt presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Albin Kurtit.
“PS dhe Kuvendi ka kaluar 15 rezoluta dhe historia e luftës për liri të Kosovës në Kosovë e Shqipëri nuk fillon me Vjosa Osmanin, as Kurtin kryeministër në pritje, as me mua e askënd tjetër. Më rezulton që parlamenti shqiptar më shumë se një rast ka dënuar gjenocidin, pastrimin etnik. Një tjetër moment për të kuptuar se ky është përdorim i politikës së brendshme si mjell për të jashtmen. I ka kushtuar shumë Kosovës ky mutacion dramatik i politikës së jashtme politikë të brendshme e anasjelltas”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal po ashtu në qeverinë e rrëzuar Hoti dhe zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbajë Kosova, duke thënë se “s’ka më zi se një vend se sa përfaqësimi ndërkombëtar të kthehet në politikë të brendshme”.