Zëvendëskryeministri Artan Grubi sot paradite është sulmuar para Parlamentit, kur i është thyer dritarja e makinës zyrtare të cilën ai e shfrytëzon, konfirmojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Grubi për “A1on” ka thënë se askush nuk është lënduar, dhe se ai nuk i di arsyet e këtij sulmi, përcjell Almakos. Ndërsa sipas policisë këtë akt e ka kryer një grua 38 vjeçare. Jozyrtarisht, gruaja e ka thyer xhamin e makinës me një gur. Ajo është arrestuar nga policia menjëherë pas incidentit.
Zëvendëskryeministri Grubi thotë se incidenti ka ndodhur derisa ai ishte në seancë plenare.
“Është e vërtetë. Automjeti është thyer nga V.J. përpara hyrjes kryesore të Parlamentit ndërsa isha në seancën plenare për Ligjin për Alokimin e Administratorëve nga programi K5. As unë dhe as ndonjë nga shoqëruesit e mi nuk jemi lënduar nga sulmi”, tha Grubi.
“Unë nuk i di arsyet e sulmit dhe pres që Ministria e Brendshme të sqarojë rastin,” shtoi Grubi./Almakos