Po e promovojnë sallën e re sportive “Alush Hamidi” në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit”.
E për ta prerë shiritin e kuq po e kërkonin Artan Grubin e Izet Mexhitin.
Për hapjen e sallës ishin ftuar një pjesë e madhe e funksionarëve të BDI-së, të njëjtit dëshironin të provonin sallën e re.
Visar Ganiu: “Kush është një portier i mirë, ta kishim nxjerrë këtu”.
Arbri, Arifin…
Visar Ganiu: “Arifin e kemi profesional. Ma gjeni Arifin, thuani të hyjë në portë”.
Si përfundim mbrojtës u bë zv/kryeministri i parë Artan Grubi. E golin e parë e gjuajti nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Mexhiti shënoi golin, por Grubi tha se ia lëshoi vetë.
Artan Grubi: “Ia lëshova kryetar se s’kishte kuptim…”
Të dytin gol e gjuajti vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Hajt mbroje tash këtë…”.
Të parën herë e huqi por Ahmeti nuk e la pa e provuar edhe njëherë.
Ndërkohë, drejtori i kësaj shkolle Faik Xhoni falënderoi të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm për këtë shkollë.
“22 Nëntori i dytë për shkollën tonë. Falënderoj të gjithë duke filluar nga kryetari i Komunës, përfaqësues të ministrisë të cilët kanë qenë këmbëngulës që të ndërtohet kjo palestër sportive”, theksoi Faik Xhoni – Drejtor i SHF “Kongresi i Manastirit”.
E deri sa gjendemi në kohë pandemie dhe ndalohen grupimet e mëdha, pyetëm nikoqirin e kësaj ngjarjeje, kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu se përse kishte organizuar një tubim të madh të njerëzve.
“Ne këtë ditë kemi dashur ta shënojmë, këtë formë e kemi zgjedhur, por thash në këto momente ndoshta është përhapur lajmi që sot inaugurohet palestra sportive dhe nuk e mohoj që ka pasur edhe njerëz që nuk kanë qenë të ftuar”, deklaroi Visar Ganiu – Kryetar i Komunës së Çairit.
Komuna e Çairit, zgjodhi ditën e sotme për ta inauguruar këtë sallë sportive pasi që shkolla mban emrin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme për kombin shqiptar “Kongresi i Manastirit”.