Nëna me tre fëmijë, të gjithë pozitiv me Covid-19, pas testimit në një klinikë private në Shkup, kanë tentuar të largohen nga vendi për në Norvegji duke shkelur urdhrat e epidemiologëve për izolim të detyrueshëm.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së diel, ku pas njoftimit të Komisionit për Sëmundje Infektive, autoritetet e Aeroportit të Shkupit kanë parandaluar udhëtimin e familjes katër anëtarëshe, njofton SDK, përcjell in7.
Incidenti në Aeroportin e Shkupit ndodhi një ditë pasi një aeroplan me 157 pasagjerë nga Shkupi zbarkoi në Turku, Finlandë, nga të cilat, pas testimit vullnetar, 24 ishin pozitiv me koronavirus. Autoritetet finlandeze kanë zbuluar më parë se fluturimet nga Shkupi dhe Bukureshti, Rumani, janë burimet kryesore të rasteve të reja të koronavirusit në vend. Tani Finlanda planifikon të prezantojë testimin e detyrueshëm për të gjithë pasagjerët nga Shkupi. Maqedonia e Veriut është gjithashtu në listën gjermane të vendeve me rrezik të lartë.
Komisioni për Sëmundje Infektive thotë se këta janë kryesisht mërgimtarë, shumica e tyre me nënshtetësi të dyfishtë dhe leje qëndrimi, ose me pasaportë bullgare, të cilët kthehen këtu për dasma dhe festa të tjera familjare dhe më pas kthehen në punë në Evropën Perëndimore, pasi kufizimet nuk zbatohen për ata që janë me leje qëndrimi. Gjithashtu nga frika për të mos humbur punën në vendet nga kanë ardhur, ata fshehin se janë të infektuar.