“Turizmi në respirator”, “Na duhet ndihmë tani dhe menjëherë”, “Treqind agjenci turistike do t’ia vënë çelësin derës”, “Shteti do të humbas shuma milionëshe prej tatimeve”, “Autobusët do të mbeten të parkuara”, “Ndihma për agjencitë do të thotë shpëtim për turizmin”, ishin vetëm një pjesë e transparenteve në protestën e sotme të qetë që e organizuan punonjësit turistikë.
Ata para Qeverisë edhe njëherë i shprehën kërkesat e tyre dhe paralajmëruan se nëse shteti nuk reagon menjëherë, sektori do të përjetojë kolaps. Rreth 5.000 familje, thanë, do të mbeten pa të ardhura dhe po aq persona do të duhet të paraqiten në Agjencinë për punësim.
Thonë se për pesë muaj nuk punojnë dhe nuk realizojnë përfitim, për ç’arsye nuk mund t’i shlyejnë shpenzimet dhe obligimet vijuese, ndërsa është vënë në pikëpyetje edhe ekzistenca e tyre. Nëse vazhdon kjo situatë do të detyrohen t’ia vënë çelësin agjencisë.
“Ekzistojmë me vite, disa prej nesh nga pavarësimi i vendit. Gjithmonë kemi qenë partnerë të shtetit, vlerësojmë se edhe shteti, veçanërisht tani, duhet të dëshmojë se është partner i yni. Me tatimet që i kemi paguar, shteti e ka paguar administratën, shëndetësinë, arsimin, gjithçka. Tani është momenti kur kërkojmë përgjegjësi prej atyre për të cilët kemi qenë partnerë në taksat e tyre. Tani ata duhet të bëhen partnerë tani dhe të na ndihmojmë të mbijetojmë, jo të përfitojmë”, theksuan pjesëmarrësit në protestë.
Sipas tyre, nëse shteti i ndihmon sektorit turistik të mbijetojë do t’u ndihmojë edhe veprimtarive të tjera të ekonomisë pasi të gjitha janë të lidhura midis vetes.
Subvencionim të pagave prej 14.500 denarë deri në fund të vitit me mbulim 100 përqindësh të kontributeve, ndihmë të pakthyeshme financiare prej 500 euro për firma deri në pesë të punësuar dhe prej 1.000 euro për firma me mbi pesë të punësuar përmes Fondit për turizëm sipas qarkullimit të realizuar në vitin 2019, anulim të pagesës së kredive, lirim prej TVSH-së dhe akontacion deri në fund të vitit, miratim të kredive pa interes për të gjithë pa kurrfarë kushtesh ndërsa për ata që janë miratuar prolongimin e grejs periudhës prej gjashtë në 12 muaj janë vetëm një pjesë e kërkesave të agjencive turistike të vendit.
Për transportuesit, kërkohet që në vend se 50 për qind, sikurse tani, kapaciteti i mbushjes së automjeteve të jetë 70 për qind e ulëseve si edhe deri në vitin 2021 të vlejë kartoni i gjelbër për vitin 2020 i cili tashmë është paguar por nuk është shfrytëzuar.
Edhe pse që në qershor drejtpërdrejt i dorëzuan kërkesat në Ministrinë e Ekonomisë ndërsa më pas edhe një herë apeluan për seriozitetin e situatës, punëtorët turistikë pasdite e përsëritën se presin Qeveria të përgjigjet konkretisht se si mund të ndihmojë.
Protesta filloi në orën 16:00, nga Dërvo Dekor, vazhdoi drejt bulevardit “Koço Racin”, rrugët “11 Tetori”, “Dimitrie Çupovski” dhe “Vasill Gllavinov” pastaj përmes bulevardeve “VMRO” dhe “Ilinden” përfundoi para Qeverisë. Pjesëmarrësit u shoqëruan prej disa autobusëve si përkujtim se protestën e mbështesin edhe transportuesit.
Sipas organizatorëve, protesta nuk ka kurrfarë prapavije politike.