/ATSH/- Partitë shqiptare në Malin e Zi kanë vendosur që të dalin me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 30 gusht.
Kryetari i Forcës së re demokratike, Nazif Cungu ka bërë të ditur se subjektet shqiptare do të bashkohen pasi kanë kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit, kërkesën e qytetarëve, pritjen dhe ftesën e diasporës për bashkim.
“Nënshkruam marrëveshjen e koalicionit gjithëpërfshirës për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, mes Forcës së Re Demokratike, Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit si dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva. Ky bashkim i partive kryesore shqiptare të Malit të Zi, bëhet në interes të popullit tonë duke synuar maksimalizimin e votës shqiptare”, deklaron Cungu.
Ai “shpreh mirënjohjen ndaj diasporës dhe aktorëve të tjerë politikë, që kanë këmbëngulur për të krijuar një listë të përbashkët elektorale që do të mundësoj një përfaqësim më të denjë e të plotë të popullit shqiptar në parlamentin e Malit të Zi”.
“Alternativa Shqiptare e kryesuar nga Nik Gjeloshaj, Forca e re demokratike e kryesuar nga Nazif Cungu, Lidhja Demokratike Shqiptare e kryesuar nga Nikollë Camaj, Unioni i Tuzit i kryesuar nga Fadil Kajoshaj dhe Lëvizja qytetare Perspektiva, e kryesuar nga Amir Hollaj, duke kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit, kërkesën e qytetarëve, pritjen dhe ftesën e diasporës për bashkim, kanë rënë dakord që, në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, të dalin në një listë të përbashkët”,ka deklaruar Cungu