Kush nuk e mban mend këtë personazh të të regjisorit të njohur amerikan Tex Avery, në filmat me kartonë, në të cilin një nga personazhet ndiqet nga një tjetër. Dhe për të mos rënë në duart e tij, ai vrapon përtej skajit të një shkëmbi, duke vazhduar vrapin i cartur prej një vrulli derisa në një moment mbetet pezull në ajër dhe kupton që nën këmbët e tij nuk ka më tokë e prej andej bie si një gur i rëndë prej lartësisë. Kur ishim fëmijë, të gjithë qeshnim shumë me këtë skenë.
Sot, të gjithë ne po jetojmë ekzaktësisht të njëjtën situatë. Por nuk qeshim më si atëherë.
Njerëzit po vrapojnë, nxitur prej shtysës që kanë marrë prej atyre shumave marramendëse të derdhura prej bankave dhe qeverive. Ata po i qasen skajit të atij boshllëku që shohim në filmin me kartona dhe po nxitojnë tej shkëmbit teksa e gjejnë veten pezull në zbrazëti. Njëjtë me personazhin më sipër, vuajtja e tyre ka të njëjtat simptoma. Frikë- nëse do kenë mundësi së shpejti të hanë drekë në një restorant, ankth- nëse do të mund të shkojnë me pushime, apo qoftë dhe të takojnë miq. Në veçanti, në Francë, pas muajsh pushimi të detyruar, shumë njerëz nuk mund ta mendojnë të paktën deri këtë fundjavë të gjatë që po ikën, t’i dhurojnë vetes ca orë më shumë lumturie.
Pak njerëz e kuptojnë se ku do të na cojë kjo ‘rënie e lirë’ që na pret. Sepse shumë pak njerëz duan ta shohin realitetin në sy: Në Shtetet e Bashkuara, prodhimi do të bjerë në më shumë se një të tretën e tij gjatë tremujorit të dytë, dhe ndoshta në një të pestën e tij përgjatë gjithë vitit; në Evropë do të jetë vështirë më pak se parashikimi më lart. Po në SHBA, thuajse një e katërta e popullsisë kërcënohet me humbje të vendeve të punës; në Evropë, sërish vështirë se do të jetë më pak. Një në katër kompani në Francë planifikon të ndalet ndërsa në vendet në zhvillim, 1.6 miliardë njerëz që punojnë në sektorin informal ka të ngjarë të humbasin burimin e vetëm të të ardhurave për familjet e tyre.
A e kuptojmë me të vërtetë se çfarë tregojnë këto të dhëna? Dhe kur mund do të ndodhë kjo?
Kur do fillojmë të besojmë se, pa ilaçe apo vaksina, një rikthim tek pandemia mund ta bëjë të ardhmen edhe më të zymtë? Kur do të fillojmë të mendojmë seriozisht, pa ngjyrat romantike që ofron pranvera për t’u përgatitur mbi pafundësinë e dramave që pritet të vijnë gjatë vjeshtës? Kur do të mund të mendojmë për vendet e reja të punës që do të kenë nevojë parësore kantieret e ndërtimit në mënyrë që t’i shmangim dramat për të cilat po flasim?
Kur do të ndalemi së besuari se një rrebesh parash do të jetë mjaftueshëm për t’i siguruar ekonomisë globale mjetet për ta kapërcyer këtë greminë pa dëme?
Duke i dhënë me shumicë bizneseve kredi, nuk është kjo mënyra që bankat qendrore të jenë në gjendje t’i shpëtojnë ato nga kriza e pagesave të tyre. Dhe as nuk u sigurohet atyre ndonjë kapital që shteti t’i shpëtojë prej mungesës së qarkullimit; kjo ndodh vetëm nëse ne do të jemi të gatshëm të shtetëzojmë të gjitha restorantet dhe të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ne do t’i shpëtojmë ato vetëm duke i ndihmuar të gjejnë klientë. Dhe për këtë, ne duhet t’i nxisim që të prodhojnë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse konsumatorët janë tani më të të gatshëm të shpenzojnë shuma marramendëse për aq kohë sa kanë mundur të kursejnë këto muaj. Kjo do të thotë të orientosh prodhuesit drejt asaj që unë i quaj “industri të jetës”.
Dhe e dyta trajnimi urgjentisht në ato profesione të reja për të gjithë ata që do ta gjejnë veten të papunë së shpejti dhe me gjasë për një kohë shumë të gjatë.
Për të përmbushur një sfidë të tillë, askush nuk mund të jetë i kënaqur duke u shqetësuar vetëm me atë që do të ndodhë fundjavën tjetër, apo edhe në dy muajt e ardhshëm; apo qoftë dhe të besosh se do të jetë e mjaftueshme të vazhdosh të jetosh si në të kaluarën e të presësh rikthimin e jetës së mëparshme; të besosh se virtualja, e cila na ka pushtuar të gjithëve, do të na mbrojë prej dramave të reales.
Nëse nuk fokusohemi në këto prioritete sa më shpejt të jetë e mundur, më e keqja pritet të vijë; madje dhe kjo periudhë e shkurtër pas mbylljes, shumë shpejt do të na duket si një kohë e lumtur. Si momenti i fundit i një qytetërimi që po rri pezull në ajër pak para rënies së tij.
Por lajm i mirë është se ende ka kohë për të shmangur shkëmbin në mënyrë që të marrim një rrugë tjetër. E di, se do të duhet shumë guxim. Mbi të gjitha sepse asgjë nuk është më e vështirë sesa të pranojmë realitetin ashtu sic është dhe jo ndryshe. Është kjo një sfidë e re që na pret. Sepse asgjë tjetër nuk na bën më të lirë se kjo.
Shqipëroi Monika Stafa