Librin publicistik “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë”, Zekerija Idrizi e ka ndërtuar nga parimet dhe idetë shumë personale të tij, ose të themi se Zekerija për konceptimin e këtij libri është nisur nga personalja, pasi që si Nëna Terezë, e ashtu edhe autori (Zekerija) kanë lindur në të njëjtin qytet, pra të Shkupit, e janë rritur të dy në po atë qytet
Ma. Sc. Fatmir Halimi
Thënë ndryshe forma dhe kjo mënyrë e të rrëfyerit nuk është e re, pasi që këto forma të shkrimit, në formën e bisedës janë shumë të hershme, që nga koha antike e këtej dhe ndryshe quhen edhe shkrime “soliloku”, që siç dimë këtë e ka praktikuar edhe Shën Augustini tek të krishterët, për përsiatjet edhe mendimet e tij rreth fesë së krishterë, por solilok (Bisedë) kemi edhe librat sufistë te besimi islam.
Shkrimtari dhe teologu i njohur i fesë islame, Zekerija Idrizi, mendoj unë, duke i parë rrethanat e sotme kulturore, fetare, sociale e politike të popullit tonë në Ballkan, duket se e ndjen edhe obligim moral, e njerëzor që ta shkruajë këtë libër e të merret me këto përsiatje rreth figurës shumë madhore të Shën Nënës Terezë.
Jemi në rrjedha të situatës sonë se ka zëra, që thonë sot, se Nëna Terezë një shqiptare e lindur në Shkup nga prindër, nga qyteti i Prizrenit ishte një nënë e madhe për botën e krishterë dhe një përkrahëse e madhe e skamnorëve, që karrierën e saj e zhvilloi kryesisht në Kalkutë, një krahinë e madhe në Indi, ku popullata e saj gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta vuante nga uria, e falë angazhimit të saj bota i ktheu sytë atje dhe e ndihmuan atë popullatë, pra këta zëra thonë se Nëna jonë e madhe nuk dinte as të shkruante shqip.
Prandaj themi sot se Zekerija Idrizi përmes këtij libri e dëshmon të kundërtën, se Nëna Terezë fliste, shkruante dhe mendonte shqip, dhe ishte kjo Nënë e jona e madhe që e ngriti zërin edhe te Kryetari i atëhershëm i Amerikës Bill Klinton për çështjen tonë kombëtare, kur Kosova ishe në prag të luftës për çlirim.
Idrizi duke qenë njohës i mirë e fesë islame, por duke qenë njëherazi edhe lexues i pasionuar i shkencave mbi teologjitë të të gjitha konfeksioneve fetare, përmes këtij libri sjell idenë e tolerancës ndërfetare të popullit tonë, por po ashtu edhe tolerancë ndërfetare në mes të popujve të tjerë të Evropës e të planetit tonë përgjithësisht.
Si shembull të tolerancës dhe të civilizimit shoqëror sot, ai merr qytetin e Berlinit, në të cilin edhe jeton vetë. Ai duke na e përshkruar jetën e këtij qyteti metropol, ku jetojnë së paku tre milion njerëz dhe me më shumë se dhjetëra besime fetare e sekte të tjera fetare brenda tyre, popuj të ndryshëm dhe të ngjyrave të ndryshme, mësojmë se toleranca fetare është në nivelin më të lartë të civilizimit të sotshëm modern.
Se ne si populli i vogël në Ballkan, por me njerëz të mëdhenj, që i dhamë botës së civilizuar, siç ishte Skënderbeu dhe Nëna e jonë famëmadhe Shën Nëna Terezë, si një popull me tri konfeksione fetare, duhet të jetojmë në tolerancë të madhe ndër veti, autori na e dëshmon edhe me bisedat, apo korrespondencat që na i sjell në libër me vëllezërit e tij të besimit katolik dhe ortodoks siç janë: me Don Lush Gjergjin, Nikolla Markun e medr. Branisllav Sinadinovski.
Këtij parimi të tolerancës fetare, Idrizi i jep një pasqyrë edhe më të thellë, kur niset nga librat e shenjtë si të Kur’anit, Biblës, Ungjillit e të tjerëve, se Zoti në fillim kishte krijuar popujt, si popullin ilir, arab, latin, kelt e të tjerë e mandej kishin rrjedh edhe besimet fetare.
Këtë na e dëshmon dhe me veprimet e profetëve duke marrë si baraspeshë, si profetët katolik ashtu edhe ata myslimanë, që duke filluar nga Abrahami-Ibrahimi deri te Isa-Jezusi, e te profeti i fundit Muhamedi. Sipas Zekerijas të gjithë këta në periudha dhe kohë të caktuar për njerëzimin kishin sjell paqe, gëzim e tolerancë fetare, kurse për tolerancën ndërfetare na e dëshmon me profetin Muhamend.
Dhe krejt për fund duke e lexuar me ëndje e me shije librin e Zekerija Idrizit “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë”, vij në përfundim se autori është kundër çdo fundamentalizmi fetar, kundër çdo ekstremiteti brenda fetar, por edhe jashtë fetar, qoftë ai mysliman, katolik apo ortodoks.
Prandaj dy figurat më të mëdha të kombit tonë përgjatë gjithë historisë, Skënderbeu dhe Shën Nëna Terezë janë sintagma më madhore e identitetit tonë kombëtar, se këto dy figura historike, sipas autorit duhet të çmohen dhe duhet ta kenë respektin në piedestalin më të lartë të secilit individ, por edhe te secili nivel shtetëror e kombëtar përgjithësisht.
Marr në përgjithësi libri “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë”, është një libër publicistik, por për lexuesin tanë dhe të gjithanshëm mund të lexohet edhe si një libër me vlera të larta letrare e estetike, pasi që këtu vije në shprehje edhe talenti i autorit prej një shkrimtari të madh në letrat tona romanore, siç është romani i tij i fundit “Arratisja nga Vdekja”, i cili edhe bëri një bujë të madhe në letërsinë tonë, në të gjitha trevat shqiptare. /Telegrafi/