Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka marrë pjesë në forumin e biznesit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, i cili mbahet në kuadër të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i cili zyrtarisht fillon nesër në Ohër.
Në fjalën e tij hyrëse, Zaev tha se raportet mes dy vendeve kanë traditë të miqësisë, duke shtuar se ka potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Zaev gjithashtu shprehi kënaqësinë e organizimit të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i cili aktivizohet pas një pauze 5-vjeçare.
“Është një nder i veçantë që sot të përshëndes edhe punën e sesionit të 9-të të komisionit ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik, tregtar, shkencor dhe teknik mes vendit tonë dhe Rusisë mike. Raportet mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Ruse janë tradicionalisht miqësore dhe ato i karakterizon një frymë pozitive, por edhe potenciale të pashfrytëzuara”, tha Zaev.