Nëse ndodh në që në jetën tjetër/ rastësisht takohemi përsëri/A do të njihen vështrimet tona/ apo të huaj do të jemi unë e ti?/ Gjithsesi unë njësoj do të të dua/ bashkë apo të ndarë.
Vargjet e mësipërme kaq shumë të njohura, janë shkruar nga Olga Isabel Chams Eljach (Kolumbi, 1922 – 2009) – poete kolumbiane me prejardhje libaneze. Është një nga poetet më të spikatura të vendit të saj, gjatë shekullit XX. Ka qenë anëtare e Akademisë Kolumbiane të Gjuhësisë qysh nga viti 1989, anëtare e Qendrës Artistike të Barrankijës, qytet dhe port i rëndësishëm në veri të Kolumbisë, ku lindi poetja, po ashtu, anëtare e Komisionit Interamerikan të Grave. Për nder të saj është krijuar “Çmimi Ndërkombëtar i Poezisë Meira Delmar”, i cili u dha për herë të parë më 30 prill 2008.
Poetja Meira Delmar, si tema qendrore në poezitë e saj, ka pasur dashurinë, harresën dhe vdekjen, duke i trajtuar këto tema nga këndvështrimi i një femre dhe në to përherë sundon një ton nostalgjik.
Ndër veprat poetike më të shquara janë “Agim harrese” (1942), “Vend dashurie” (1944), “Ishulli i fshehtë” (1951), “Bujtës pa hije” (Antologji, 1971), “Ritakim” (1981), “Lahutë kujtese” (1995), “Dikush kalon” (1998), “Fryn era” (Antologji poetike, 2000), etj. Në shqip poezi të saj janë përkthyer nga Bajram Karapolli.