Vazhdon jehona e samitit të Berlinit, me detaje pikante të publikuara nga portali i njohur, Politico. Sipas këtij portali, presidenti francez, Emmanuel Macron për pak e humbi gjatë këtij samiti, pasi tentoi dhe dështoi të bindte kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj që të pranonte një kompromis për të zhbllokuar situatën e krijuar me Serbinë.
“Nuk je në gjendje të kërkosh asgjë,” tha Macron, duke ngritur zërin.
Portali shkruan se teksa po nisnin orët e para të ditës së martë, në vend që të arrihej një marrëveshje, Merkel dhe Macron nxorrën në pah se sa jofunksionale është diplomacia europiane. Samiti tregoi ndarjet jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes Berlinit dhe mes vendeve anëtare të BE dhe aparatit të politikës së jashtme në Bruksel.
“I vetmi person i gëzuar ishte Mogherini,” tha një i pranishëm në samit, duke iu referuar shefes së politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini.
Ajo mbërriti e buzëqeshur dhe e nxirë pas pushimeve në Berlin. Kritikët thonë se italiania nuk i ka kushtuar shumë vëmendje Ballkanit gjatë kësaj kohe, ndërsa nuk ia ka dalë të zgjidhë ngërçin mes Kosovës dhe Serbisë. Jo vetëm kaq, por ajo ka mbështetur edhe një projekt që parashikon shkëmbim territoresh mes dy vendeve, diçka që kundërshtohet ashpër nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Ndërkohë sot në një intervistë të shumëkomentuar, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se në të ardhmen Kosova do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin e saj, jo pse ai do ta njohë, por për shkak se dështoi zgjidhja e ofruar prej tij, duke mos e thënë qartazi se cila ishte ajo ofertë.
Presidenti serb në një intervistë për televizionin Pink, tha të dielën se “ajo që kishte ofruar nuk kaloi për shkak të trysnisë së tmerrshme të disa vendeve dhe shërbimeve të tyre të zbulimit, që vunë në lëvizje agjenturat e plota, politike, mediatike e të tjera nëpër vende të ndryshme”.
Dy ditë më parë, presidenti serb tha se ideja e tij për vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve ka rënë tashmë dhe kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë.