Alsat 2019-04-29T15:49:54+02:00
Në këtë klasë të shkollës periferike të fshatit Shishovë, komuna e Sarajit mësojnë 30 nxënës në dy paralele të kombinuara. 20 nxënës janë klasa e parë ndërsa 10 të tjerët janë klasa e dytë. Siç tregojnë nxënësit, ndodhë që shpesh herë të ngatërrojnë mësimet mes vete, madje edhe vëmendja e mësuesit nuk është e mjaftueshme ndaj të gjithëve, për shkak të numrit të madh të nxënësve.
“Shumë herë edhe neve na përzihen mësimet me klasën e dytë se me një klasë jemi, shumë keq. Kur shkoj në shtëpi i harrojë edhe mësimet tjera që i kam. Dëshirojmë të jemi me një klasë tjetër se na përzihen mësimet”
“Mësojmë me klasën e parë dhe kur bëjmë detyra na pengojnë. Ne dëshirojmë të jemi me një klasë vet që mos të na pengojnë”.
Prindërit shprehen të revoltuar për këtë problematikë. Ata kërkojnë ndarjen e paraleles dhe punësimin edhe të një mësimdhënësi shtesë. Sipas prindërve, si rezultat i funksionimit të paraleles së kombinuar, vërehen edhe rezultate jo të mira të nxënësit.
Do të jemi të detyruar t’i marrim fëmijët ti transferojmë nëpër shkolla tjera ku ka rezultate të shkëlqyeshme prej nxënësve tjerë, e tash nxënësit tanë po del se janë më të dobët, kjo për shkak se nuk ka mësim cilësor. Me na lan kështu, me hjek ne me fëmijët tanë, mos me na mësuar asgjë, as shkronjat e as të lexohet kjo është turp, gjynah për fëmijët. Domosdo është e nevojshme edhe një paralele, ndoshta ky vit do të kaloj, në i ecim procedurat tona për të kërkuar mësues. Nuk ka gjasa fëmijët me ardhur në shkollë, me mësuar në këtë gjendje si është tash”-tha Senat Skenderi, prind.
Funksionimi i paraleles së kombinuar shkakton vështirësi edhe për mësimdhënësin Sejdi Alija. Ai thotë se gjysma e orës i kalon për plotësimin e ditarëve për dy klasat.
Tash edhe ne nuk e dimë ku është problem, te ministria e Arsimit apo të ministria e Financave që nuk japin leje për tu çel edhe një vend pune. Vështirësitë ndodhin kur për shembull shpjegoj për klasën e dyte, të tjerët habiten, shikojnë nga unë edhe më pyesin, mësues a për klasën e parë shpjegon, unë u përgjigjem jo, kësaj here për klasën e dytë po shpjegoj, tash do të vij te ju”-pohoi Sejdi Alija, mësimdhënës.
Nga shkolla qendrore “Sami Frashëri” në Gllumovë u përgjigjën se tashmë disa herë kanë parashtruar kërkesë për financim të ri por akoma nuk kanë ndonjë përgjigje konkrete.
Ndërkohë, nga Ministria e Arsimit thonë se nuk kanë njohuri për funksionimin e paraleleve të kombinuara. Sipas dikasterit të Arsimit, në bazë të të dhënave që ka dorëzuar Komuna e Sarajit në këtë shkollë periferke mësimi ka filluar me paralele të ndara dhe jo të kombinuara.
Melihate Rustemi
Loading…