Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha se Serbia është e vetëdijshme për gabimet e saja në të kaluarën por bombardimi i NATO-s në vitin 1999, ka qenë gabim i të tjerëve dhe jo i qytetarëve të Serbisë.
Në një konferencë për media, në 20 vjetorin e intervenimit ushtarak të NATO-s në Jugosllavinë e atëhershme, kryeministrja Bërnabiq tha se Serbia nuk duhet të harrojë viktimat e sulmeve, fabrikat dhe urat e shkatërruara, por duhet të provojë të falë pasi, sipas saj, kjo është e vetmja rrugë për të realizuar potencialin e saj dhe për t’u kthyer kah e ardhmja dhe bashkëpunimi.
Kryeministrja Bërnabiq tha se për 20 vitet e fundit “po përpiqemi të marrim një përgjigje në pyetjen se si një vend i vogël është bërë një kundërshtar i madh i vendeve më të fuqishme”.
Bërnabiq duke kujtuar ngjarjet e 20 viteve më parë, tha gjithashtu se ende nuk ka një përgjigje, se cilat janë arsyet e që një vend sovran, mund të sulmohet pa një vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Më 24 mars të vitit 1999, Aleanca Veriatlantike filloi bombardimet ndaj caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe në ish-Jugosllavi.
Pas bombardimeve që zgjatën 78 ditë, u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët autoritetet serbe i kishin dëbuar me dhunë në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe në vendet tjera të botës.