Ramadan RAMADANI
Pasi mendoj se ky vit 2016 mund të sjellë ndryshime vendimtare për qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi dhe për shqiptarët e këtuhit në veçanti dhe ndiej obligim moral të jap kontributin tim që ky ndryshim të jetë një përmirësim, me aq sa dij dhe aq sa kam, pra me fjalë dhe kontribut publik, dua të nis një serial të shkrimeve në të cilën dua të përmbledh mendimet e mia dhe të njëjtat ti ndaj me opinionin. Duke mos dashur të flas për veten, por duke dashur që këto fjalë të arrijnë sa më shumë në bereqet dhe qartësi më duhet të nisi të spjegoj pozicionin tim. Unë jam një qytetar i Maqedonisë, shqiptar, prind, shkupjan, taksapagues dhe votues i vetëdishëm dhe krejt fjalët e mia do jenë vetëm nga këto pozicione. Nuk kam asnjë afilacion me asnjë përfaqësim politik dhe as jam pretendent për këtë. As që kam ndonjë shpresë të veçantë personale se ndryshimi politik do jetë në të mirën time personale specifikisht dhe sipas meje vetëm bëj pjesë në shumë të ngjashëm si unë që duan dhe dëshirojnë që rendi dhe shteti të funkcionojnë me drejtësi dhe ata vet të jetojnë të lirë, bilem edhe pa qenë vet pjesë e këtij sistemi. Pra këto fjalët vijnë nga një qytetar, i cili si shumica e shqiptarëve nuk marrin dhe shpesh edhe nuk presin ti jep shteti dhe sistemi as përafërsisht sa ata i japin atij me taksa dhe tatime, votë dhe sovranitet. Kjo sa për qartësim se angazhimi im është që të ndodhë ndryshimi dhe përmirësimi në përfaqësimin politik të qytetarëve shqiptarë, kushdo që ta sjellë atë dhe në dobi specifike të kujtdo qoftë ai ndryshim. Përkthyer në emra konkret shpresa, bindja dhe dëshira ime është që partitë opozitare shqiptare, veçmas ose së bashku, të pesë të tillat ; PPD, RDK, LR-PDSH, Besa dhe Uniteti të kenë më shumë vota dhe deputet ndër shqiptarë se sa partitë e deritanishme BDI dhe PDSH. Minimalisht do isha i mjaftuar që kjo të ishte edhe vetëm në numër të votave dhe për atë e përmendi përfaqësimin. Mbetet brengë e atyre që janë pretendent për këtë përfaqësim se si ai do efektuizohet edhe si qeverisje në të ardhmen e afërt. Shkurt thënë pozicioni im është se s’më bëhet vonë se kush fiton në zgjedhjet e ardhshme por dua, dëshiroj dhe shpresoj shumë se nuk është herët që e vjetra të humb dhe ndryshimi të ndodh!