Ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli ka komentuar zhvillimin e referendumit të djeshëm për emrin.
“Kishte një numër të votuesve që nuk dolën të votojnë. Disa shihet se kanë bojkotuar, disa ndodhsha nuk janë në shtet, ose thjeshtë nuk votojnë. Nëse shihni numrin mesatar të votuesve që dalin në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni në 20 vitet e fundit, ajo është rreth 1.1 milionë. Kështu që, 660 mijë njerëz janë shumica e kësaj. Kjo është një numër i konsiderueshëm i votave që liderët politik duhet seriozisht ta marrin parasysh gjatë vendimit për hapat e ardhshëm lidhur me Marrëveshjen”, theksoi ambasadori amerikan, informon INA.
Ai përsëriti qëndrimin se SHBA fuqishëm përkrah Marrëveshjen e Prespës, dhe se tani i mbetet Kuvendit t’i ndërmerr hapat e ardhshëm për implementimin e saj.
“Shpresoj që liderët dhe anëtarët e Kuvendit do t’i lënë anash dallimet politike dhe do ta marrin parasysh interesin e vendit dhe do të shfrytëzojnë këtë moment historik.”, tha ambasadori Bejli, duke shtuar se Marrëveshja e Prespës hap rrugën e ardhmërisë së Maqedonisë në NATO dhe BE, prej të cilës përfitime do të ketë vendi, qytetarët e vendit, por edhe rajoni, prosperiteti i saj, stabiliteti dhe siguria.
Lidhur me opsionin për zgjedhje të parakohshme dhe si ato zgjedhje do të ndikojnë në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, Bejli theksoi se ata janë të fokusuar në zbatimin e marrëveshjes, ndërsa zgjedhjet parlamentare janë punë e Kuvendit dhe liderëve partiak në vend. (INA)