Shkruan: Emad Mehmeti
Është e qartë – referendumi dështoi. Tash do të kërkohen fajtorët dhe “meritorët” për këtë gjë. E në ndërkohë, që para fillimit të fushatës PËR Referendumin, dominon zërat që thoshin se BDI-ja dhe Ali Ahmeti nuk duhet ta marrin “bajrakun” për daljen në referendum dhe si gjithmonë deri më tani, çdo gjë ta përdorin për t’i mbuluar dështimet e veta, sepse pa dyshim se kjo do i demotivonte shqiptarët e lodhur nga gënjeshtrat e kësaj partie dhe të Ali Ahmetit.
Dhe ja ndodhi ajo që pritej: shqiptarët në masë të madhe, mbase “për inat” të BDI-së ‘bojkotuan’ referendumin. Apo nuk dolën në referendum vetëm që të dëshmonin se sado që ata janë pro Perëndimorën dhe pro NATO’s, janë lodhur nga Ali Ahmeti dhe BDI-ja, që më shumë se një dekadë, vlerat proprendimore i keqpërdorën për të mbuluar destruktivitetin politik.
Ku ta dish, ndoshta kësaj radhe BDI-ja dështoi sepse nuk i hapi “thasët” me para të vjedhura nga ne që t’i paguante votuesit, apo ndoshta pse nuk mund të premtonte punësime e poste, si dhe pse i dështuan ‘ekspertët’ e saj për mbushjen e kutive?
Sidoqoftë, shqiptarët treguan se kurrë nuk do ia harrojnë BDI-së 11 vitet me radhë sa e mbajti në pushtet regjimin e Nikolla Gruevskit, me të cilin së bashku i përbuzën dhe poshtëruan shqiptarët si asnjëherë më parë dhe e çuan Maqedoninë drejt Rusisë. Pra, shqiptarët treguan se Ali Ahmetit kurrë nuk do ia falin se ai thoshte NATO – BE, por e ndidhmonte një regjim që Maqedoninë e çonte drejt Rusisë.
Po pra, referendumi dështoi sepse shqiptarët janë lodhur më nga Ali Ahmeti dhe BDI-ja. Dhe ata jo që sot janë më pakë properëndimorë e pro NATO-s seç kanë qenë gjithmonë, por tani ata treguan pjekuri politike si dhe i dërguan porosi faktorit ndërkombëtarë se nuk ndërtohet shtet demokratik me mendësi leniniste. Pa ashtu ka mendime edhe se BDI do NATO dhe BE deklarativisht, por realisht jo, sepse në BE nuk lejohet krimi dhe vjedhja në politikë.
Kështu Maqedonia është viktimë e politikanëve të cilët ‘orietimin’ e vet properindimorë e kanë vetëm mbulesë për vetëdijen e tyre që politikën e nënkupton si biznes më fitimprurës dhe shtetin si pronë të partive në pushtet.