Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski i thirri qytetarët që të paraqiten në numrin 192 nëse hetojnë se persona të paautorizuar fotografojnë gjatë votimit në referendum, transmeton Almakos.
Ai apeloi që nëse qytetarët hetojnë se fotografia e tyre publikohet në rrjetet sociale ta paraqesin në adresën [email protected]
Në rast të thyerjes së lirisë së përcaktimit të votuesve, vepra e përshkruar në nenin 160 nga Kodi Penal, është paraparë dënim me burg deri në një vit.
Në rast të shkeljes së fshehtësisë së votimit, sipas nenit 163, është paraparë dënim deri në gjashtë muaj. Nëse veprën e kryen anëtari i bordit votues, komisionit, bordit për organizimin e referendumit ose ndonjë personi zyrtar, është paraparë dënim deri në tre vite.
Dënimi më i rëndë është paraparë për pengimin e zgjedhjeve dhe votimit. Sipas nenit 158, është paraparë dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vite, nëse me përdorimin e dhunës, kërcënimit serioz ose ndonjë mënyre tjetër i pengon mbajtjen e zgjedhjeve ose votimin./Almakos/