Njohësi i çështjeve politike dhe këshilltari i kryeministrit Zoran Zaev, Mersel Bilalli ka theksuar për Portalb se mos përkrahja e referendumit nga ana e shqiptarëve do të thotë të mos përkrahni projektin e aleatit natyror shqiptar NATO-s është baraz me vetasgjësim.
“Shqiptarët në asnjë formë nuk guxojnë, jo vetëm ta kundërshtojnë atë, por ata përkundrazi me mobilizimin ma të madh që mundet duhet të dalin në përkrahje të tij. Mendoj se Shqiptarët kohëve të fundit janë duke treguar pjekuri dhe përgjegjësi shumë më të madhe se sa disa liderë që thirren në emër të tyre. Them se duhet përkrahur me të gjitha forcat që kanë, pasi realisht me te përkrahin vetveten, familjen e tyre dhe popullin e tyre. Pra, mbetja në kurthin dhe pengun dekadent vero-vian pa dilemë se është vetëvrasëse edhe për shqiptarët. Të mos përkrahni projektin e aleatit natyror shqiptar NATO-s është baraz me vetasgjësim, e të mos flasim për prosperitetin ekonomik dhe të gjithëmbarshëm zhvillimor, pa të cilin të gjithë do të shpërngulemi nga vendlindja”, tha për Portalb, Mersel Bilalli.
Ai shtoi se ky referendum nuk guxon të dështojë.
“Referendumi nuk guxon të dështon, pasi ai do të ishte jo vetëm dështim i të gjithë neve, por dështimi eventual do t’i inkurajonte forcat më të errta shovene, kriminale dhe proruse në vend”, shtoi ai.