Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot mori pjesë në seancën komemorative të Kuvendit të Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të
aktivistit të njohur për çështjen kombëtare dhe të burgosurit politik, Adem Demaçi.
“Sot, jemi tubuar këtu me një shkas që na pikëlloi të gjithë ne që e kemi pasur fatin të jetojmë në të njëjtën kohë kur ka frymuar dhe vepruar Heroi i kombit, simboli i rezistencës kombëtare, udhërrëfyesi dhe zëri i ndërgjegjes popullore, mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të pakicave jo-shqiptare, liridashësi dhe atdhetari, vizionari dhe shkrimtari i dalluar, Adem Demaçi. Nuk është lehtë që me pak fjalë të përshkruhet vepra madhështore, flijimi altruist dhe puna e palodhshme e të çmuarit Adem Demaçi i cili nuk u përkul, nuk u thye dhe nuk u dorëzua para asnjë sfide, para asnjë vështirësie dhe dhimbjeje edhe pse, në jetëshkrimin e tij shënohen plot 28 vite të
kaluara në burg dhe nën presion politik. Por, ai e kishte gjithmonë shikimin larg, gjithmonë kah ardhmëria më e ndritur, për kombin, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme. Nuk u ndal kurrë së menduari për atë se si të ndërtohet një shtet i pavarur, demokratik, i barabartë me shtetet përreth dhe me gjerë, shtet juridik në të cilin do të sundojë e drejta për të gjithë njësoj, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, gjuhësore, gjinore apo klasore. Shtet në të cilin nuk do të ekzistojë hakmarrja e gjakut, vëllavrasja dhe urrejtja ndaj të ndryshmit.
Vepra e të respektuarit Adem Demaçi, përveç nga institucionet vendore, ku është shpallur “Hero i Kombit”, është vlerësuar lartë edhe nga institucionet botërore. Parlamenti Evropian ia ka ndarë “Çmimin Sakharov për lirinë e të folurit” me të cilin nderohen individë dhe grupe njerëzish të cilët ia kanë përkushtuar jetën mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe Lirisë të të menduarit. Ndarja e të çmuarit Adem Demaçi nga jeta është humbje e madhe për të gjithë shqiptarët, për të gjithë njerëzit liridashës dhe atdhetarë, por edhe për gjithë njerëzimin që e vlerëson lartë lirinë dhe barazinë mes njerëzve anembanë botës. Largimi i tij nga kjo botë është i hidhur për familjarët e tij të afërm, për bashkëpunëtorët e tij të afërm, për bashkëqytetarët por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që të jenë.
Qëndroni të fortë familje e nderuar, qëndroni krenar për çastet e përbashkëta që i keni pasur sepse, ndarja është vetëm ndarje fizike. Personaliteti i tij unik është i paharrueshëm dhe i pazëvendësueshëm dhe vepra e tij madhështore nuk do të harrohet kurrë. Do të jetë trashëgimi dhe porosi që do e ruajmë, vlerësojmë, çmojmë dhe nderojmë, por edhe do e vazhdojmë të gjithë ne që në mënyra të ndryshme, nga pozitat që i kemi në periudha të caktuara, kemi ndikim mbi zhvillimet dhe rrjedhat shoqërore në vendet tona.
Lavdi përgjithmonë! Faleminderit për vëmendjen!”, tha Xhaferi në fjalimin e tij në seancën komemorative në Kuvendin e Kosovës.