Dështon seanca e Komisionit për Punë të Jashtme, pasi kryetari i këtij komisioni, Antonio Milloshovski, nuk i lejoi ministrit të jashtëm, Nikolla Dimitrov, të mbajë fjalimin për punën e bërë.Milloshovski kërkoi që atij dhe deputetëve që kanë certifikatë të sigurisë t’u jepen dokumentet e klasifikuara nga takimet e liderëve të mbajtura në janar dhe në maj të këtij viti ku është folur për kontestin e emrit me Greqinë.
Milloshovski akuzoi kryeparlamentarin Xhaferi se ka ndaluar shërbimet që të dorëzojnë dokumentet. Kjo, sipas tij, hap dyshime se qeveria po fsheh informacionet.
“A ndalohet shpërndarja e materialeve pasi në takimin e parë në janar është miratuar konsensus nacional që mos të ndryshohet kushtetuta. Këtë e ka pohuar edhe ministri Dimitrov, ose për shkak se në takimin e dytë në maj është thënë se kushtetuta mund të ndryshohet me propozim të qeverisë vetëm në rast se zgjidhja e kontestit do të ishte Maqedonia e Ilindenit. Në të kundërtën, Maqedonia do t’i kthehej formulës së dyfishtë”,- tha kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Antonio Milloshovski.
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, kërkoi nga Milloshovski që të respektojë rendin e ditës, ku fjalim do të duhej të mbajë ministri Dimitrov.
“Mund që të thirrni seancë urgjente dhe materialet t’i dorëzoni në atë seancë, por tani veç më është miratuar rendi i ditës në bazë të materialeve që keni dorëzuar”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Deputetët e LSDM-së kërkuan që Milloshovski të lexojë gjithçka nga dokumentet bashkë me qëndrimet e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ndërkaq paralajmëruan padi penale ndaj Milloshovskit pasi në seancë ka publikuar sekret shtetëror.
“Milloshovski nga 2015-ta nuk posedon certifikatë sigurie për sekret shtetëror, andaj edhe nuk mund dhe nuk guxon që të ketë qasje deri tek informacionet e këtilla”,- tha deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.
Ministri i jashtëm, Dimitrov, në një deklaratë për media tha se është i gatshëm për debat, duke pasur kujdes se nuk do ta dëmtojë marrëveshjen.
“Jemi në një proces delikat. Gjithçka që publikohet këtu do të përcillet edhe në opsionin grek. Edhe atje mund ta rëndojmë punën. Për mua është më me rëndësi që procesi të ketë sukses dhe të kemi rezultat, sesa unë sot të dal fitues ndërkaq të gjithë të humbim për këtë çështje madhore”,- tha ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Komisioni vazhdon punën nesër. Ndërkohë deputetët pritet t’i marrin materialet e klasifikuara, derisa ministri Dimitrov do të japë llogari për punën e bërë.
MERAL ISMAILI