21 July 2018 / 15:25
Banorët e lagjes Shkup-Veri kërkojnë rihapjen e Postës e cila në këtë lagje ka vepruar vite me radhë apo hapjen e një filiali të të ndonjë prej bankave që veprojnë në Shkup. Banorët thonë se kanë vështirësi për kryerjen e pagesave për shërbime të ndryshme pasi për një faturë detyrohen të shkojnë në ndonjë nga lagjet tjera apo edhe deri në qendër të Shkupit.
“Po duhet se ku të gjej unë Postë 70 vjet të shkoj në Xhon Kenedi këtu na duhet, sepse është lagje e madhe kjo.1:32 Rrymën për ta paguar duhet të shkojmë në Xhon Kenedi për atë duhet të hapet. Se di posta a është privat apo çfarë, kur duan e hapin kur duan e mbyllin.”
“Është mbyllur, na vjen çudi pse është mbyllur, kemi nevojë nuk mundemi të shkojmë në Çair ose në Bit Pazar për një faturë për t’ia paguar. Duhet patjetër të hapet ajo postë sepse njerëzit kanë nevojë.”
“Shteti si shtet duhet të jetë fleksibil dhe të jetë në shërbimi të qytetarëve dhe unë mendoj dhe jam i bindur që patjetër duhet të ketë një postë këtu në këtë lagje të veriut. Nuk mund të jetë një postë joprofitabile sepse kjo duhet të jetë në shërbim të popullit.”
Drejtori i “Postave të Maqedonisë” Fadis Rexhepi ishte i zënë për të folur para kamerave, por përmes një mesazhi telefonik tha se Posta në lagjen Shkup Veri është mbyllur pasi sipas tij ka punuar me humbje.
Posta në Shkup-Veri është mbyllur nga Këshilli Drejtues për shkak se një kohë të gjatë ka shënuar rezultate financiare negative. Nevojat e qytetarëve plotësohen përmes njësive postare në afërsi që janë në Fushë Tophanë dhe dhe Cair – u shpreh Fadis Rexhepi, drejtor i SH.A “Posta e Maqedonisë”.
Këtë drejtori i ka thënë edhe pronarit të lokalit, por ai nuk beson në këto pohime duke marr parasysh numrin e madh të banorëve të kësaj lagje por edhe të bizneseve të vogla që ekzistojnë.
Bisedën e fundit me drejtorin gjeneral kur isha tek ai në zyre me tha se nuk është profitabile. Ne e dimë që kjo postë është profitabile sepse kjo lagje është e madhe, vetëm këto tre kullat që janë këtu kanë nga 90 banesa. Pa marrë parasysh se a do të jetë në lokalin tim apo diku tjetër, ka nevojë për postë apo për bankë – deklaroi Ramadan Ibrahimi, pronar i lokalit.
Edhe banorët e lagjes dyshojnë në pohimet e drejtuesve të Postës. Ata dyshojnë edhe në manipulime nga punonjësit e saj pasi sipas tyre shpesh ka ndodhur që Posta të mos ishte në funksion me ditë të tërë për shkak të pohimeve se sistemi është jofunksional. Banorët thotë se kërkesën për rihapjen e Postës apo të ndonjë banke në këtë lagje do t’ia parashtrojnë edhe komunës dhe institucioneve tjera.
Valmira Zendeli