Drejtori i NP “Higjiena Komunale” Shkup, Abdusamed Shabani dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Asim Musa sot paralajmëruan zgjidhje shumë të shpejtë të problemit me mirëmbajtjen e higjienës dhe pastrimit të oborrit të Qendrës Klinike, por nuk saktësoi nëse Qendra do ta paguaj borxhin të cilin e ka ndaj kësaj ndërmarrje publike.
“Patëm një takim koordinues me zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe të gjithë do të angazhohemi të gjejmë gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e problemit me mirëmbajtjen e higjienës në oborrin e Qendrës Klinike. Me ndihmën e edhe të ndërmarrjeve të tjera publike të qytetit, në koordinim edhe me kryetarin e Qytetit të Shkupit do të gjejmë gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e problemit”, tha Shabani.
Ai shtoi se sot i ka vizituar të punësuarit e vet të cilët e pastruan oborrin dhe paralajmëroi se aksioni do të vazhdojë edhe nesër për shkak frekuentimit më të vogël të njerëzve dhe automjeteve. Shabani tha se aksione të tilla të kohëpaskohshme do të ketë edhe në të ardhmen, pa dallim nëse janë apo nuk janë të obliguar, sepse, siç potencon edhe krahas problemit ndërgjegjja nuk u lejon të mos e pastrojnë Qendrën Klinike.
Zëvendësministri i Shëndetësisë vetëm shkurt përsëriti se pret shumë shpejtë zgjidhje për këtë problem.
“Jemi në prag të zgjidhjes së kësaj situate. Ata gjithmonë shprehin vullnetin e mirë të na ndihmojnë edhe krahas vështirësive që i kanë, por, siç tha edhe drejtori i kësaj ndërmarrje jemi në prag të zgjidhjes së problemit aktual”, theksoi Musa.
Krahas aksionit të të punësuarve të NP “Higjiena Komunale” sot para dite në qendrën klinike duhet të vijnë edhe artistët e Maqedonisë në tentim të ndihmojnë dhe ta ngritin vetëdijen publike për mirëmbajtjen e pastërtisë në oborrin e Qendrës Klinike. Për sot është paralajmëruar edhe vizitë e kryetarit të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov në Qendrën Klinike.