Për momentin punohet në përgatitjen e variantit të dytë të draft-ligjit për arsim fillor, i cili do të inkorporojë reformat e paralajmëruara në këtë nivel shkollimi. Por paralelisht kësaj, ministri Ademi thotë se kanë nis aktivitetet përgatitore për përpilimin e Ligjit të ri për arsim të mesëm. Miratimi dhe nxjerrja e ligjeve të reja arsimore, të cilat do të japin zgjidhje më kualitative për funksionimin e sistemit arsimor e që do të shpijnë në përmirësimin e rezultateve, thotë se edhe ashtu ka qenë pjesë e prioriteteve të punës së deritanishme si ministër i Arsimit
Shkup, 11 korrik – Të pretendosh fillimin e një reforme të caktuar, sikure janë ndryshimet e ofruara në Ligjin e ri për arsim të lartë, që u miratua vetëm pak muaj më parë, pa punuar njëkohësisht në ndryshimet që duhet të ndodhin edhe në nivelin e shkollimit të mesëm dhe shkollimit fillor është vetëm se iluzion, shkruan gazeta KOHA. Sepse, të gjitha rezultatet e pritura në rastin konkret të arsimit të lartë do të jenë ose gjysmake ose të mundura të ndodhin ashtu sikurse janë ideuar. Kështu që, të shpresosh në rritjen e cilësisë së universiteteve, kur nuk është cilësor produkti që vjen nga shkollat e mesme, respektivisht shkollat fillore – është njëlloj si të luftosh me “mullinjë e erës”. Madje, që të tre këto nivele të plotësojnë njëra-tjetrën, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk duhet të neglizhojë as ndryshimet në Ligjin e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore, që gjithashtu duhet të jenë në frymën e ndryshimeve të inicuara nga MASH-i në sferën e arsimit.
Lëvizjet që bëhen nga njeriu i parë i MASH-it, ministri Arbër Ademi, thotë të jenë shpresëdhënëse. Ai, ka paralajmëruar se nuk do të mbesin jashtë reformës edhe arsimi fillor dhe i mesëm. Madje, sikurse deklaron ai, prioritet i të gjitha angazhimeve pa përjashtuar këtu edhe ndryshimin e ligjeve – do të jetë përmirësimi i cilësisë. Për momentin, punohet në përgatitjen e variantit të dytë të draft-ligjit për arsim fillor, i cili do të inkorporojë reformat e paralajmëruara në këtë nivel shkollimi. Por paralelisht kësaj, ministri Ademi thotë se kanë nis edhe aktivitetet përgatitore për përpilimin e Ligjit të ri për arsim të mesme.
Miratimi dhe nxjerrja e ligjeve të reja arsimore, të cilat do të japin zgjidhje më kualitative për funksionimin e sistemit arsimor e që do të shpijnë në përmirësimin e rezultateve, thotë se edhe ashtu kanë qenë pjesë e prioriteteve të punës së tij si ministër i Arsimit. Brenda atyre 30 ditëve, u miratua Ligji për përkrahjen e të rinjve gjatë blerjes së instrumenteve muzikore me të cilin MASH do të mbështet financiarisht të rinjtë për blerjen e instrumenteve muzikore.
Për këtë qëllim, çdo vit shkollor do të ndahen nga 5 milionë denarë me të cilat do të subvencionohen në vlerën maksimale prej 100.000 denarë nxënësit dhe studentët e shkollave dhe akademive të muzikës. E një rëndësie të veçantë, thotë ministri, është të punohet në promovimin e konceptit të arsimit të dual (të dyfishtë). Bazuar në modelin gjerman, nga shtatori i këtij viti do të nis zbatimi i këtij konceptit që nënkupton më shumë praktikë për nxënësit – edhe atë drejtpërdrejt në vendin e punës nën kujdestarinë e punonjësve të kompanive. Kjo bëhet me qëllim që nxënësit të fitojnë më shumë shkathtësi dhe kompetenca e që do t’ju garantojë atyre qasje më të shpejtë në tregun e punës.
“Kjo është një nga reformat më të rëndësishme arsimore në vend dhe me pritshmëria të madhe, sepse ndikon drejtpërdrejt në shkurtimin e kohës për kalimin nga arsimi në punë, e ky është tregues që mat suksesin e politikave arsimore në një vend”, shprehet për KOHA, Ademi.
Në vijën e reformave cilësore në arsimin e mesëm është edhe modernizimi i planeve dhe programeve mësimore. Muajin e kaluar, është nxjerrë Plani kornizë mësimor dhe planet mësimore të viteve të dyta, treta dhe të katërta për lëndët mësimore të tre profileve: teknik i ndërtimtarisë, teknik i hotelerisë dhe turizmit dhe elektroteknik për teknik kompjuterike dhe automatikë në gjashtë shkolla profesionale ku realizohet pilotimi.
Në rrjedhë e sipër është përgatitja e programeve të reformuara mësimore për lëndët profesionale për vitin e dytë, si dhe për lëndët e përgjithshme arsimore për vitin e parë dhe të dytë në arsimin e mesëm profesional. Bëhet fjalë për një reformë pilot që ka filluar këtë vit dhe që vazhdon edhe në vitin e ardhshëm shkollor, e më pas prej vitit shkollor 2019/2020 do të fillojë procesi i reformimit të plotë të arsimit profesional katërvjeçar, për çka tashmë është sjellë konkluzion në seancë qeveritare.
Sa i përket arsimin profesional, në MASH informojnë se këtë muaj filloi implementimi edhe i projektit “Arsimim për punësim në Maqedoni”, i financuar nga Ambasada e Zvicrës në Maqedoni në vlerë prej 12.5 milionë euro. Ky projekt do të zbatohet në 10 vitet e ardhshme, në disa faza, kurse faza e parë duhet të përfundojë në vitin 2022.
Asnjë reformë nuk mund të jetë e kompletuar pa përpilimin e teksteve shkollore. Për këtë, Ademi bën të ditur se punohet me të gjitha palët e interesuara që të bëhen ndryshimet në tekste, përmbajtja e të cilave kontestohet deri në masën 30 për qind dhe se në ndërkohë janë sjellë vendime për lejimin e teksteve të reja për gjuhë të huaja (gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht) për vitin e katër të arsimit të mesëm, si dhe për tekstet e gjuhës italiane, që prej shtatorit do të mësohet si gjuhë e dytë e huaj në shkollat fillore dhe të mesme.
Ademi thotë gjithashtu se gjatë muajit të parë si ministër, ka firmosur edhe planin mësimor për arsimin fillor nëntëvjeçar, ku janë përkthyer programet mësimore aktuale për lëndët për klasën e parë në gjuhën boshnjake, e cila prej vitit shkollor 2018/2019 do të jetë pjesë e mësimit të rregullt në arsimin fillor. (koha.mk)