Përveç motit të ngrohtë qytetarët e Shkupit përballen edhe me numër të madh të insekteve e veçanërisht mushkonjave. Kreu i qytetit të Shkupit Petre Shilegov u arsyetua se vonesa për për spërkatjen kundër mushkonjave ka ndodhur për shkak të kushteve jo të volitshme klimatike dhe se preparatet nuk kanë qenë të testuara.
“Kishim një preparat i cili për nga aspekti toksik nuk është testuar, ekzistonte rrezik derisa nuk plotësohen kriteret të cilat ekzistojnë për zbatimin e procesit të spërkatjes. Nuk mund ta lejoj që gjëra të pa testuara të spërkaten nëpër Shkup. E kemi lëshuar në analizë, atë preparat deri te Ministria, kemi marr vërtetim se është toksik prandaj është zgjatur një pjesë e procedurës. Spërkatja kundër insekteve bëhet kur do të jenë kushtet e nevojshme klimatike në mendimin që të kemi ajër më të thatë me qëllim që preparatet të kryejnë veprimet e duhura”, tha Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.
Shilegov theksoi se nëse do ishte bërë spërkatja gjatë periudhës me reshje të shiut mjetet financiare do të shkonin dëm dhe spërkatja nuk do të jepte efektet e duhura.
“Të mos harrojmë se jo më larg se 4 ditë kishim temperaturë prej 18 gradëve dhe i gjithë muaji ishte me shi kështu që spërkatja nuk do ishte asgjë tjetër veçse shpenzim i kotë i buxhetit”, theksoi Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.
Afati i parë i dhënë nga Qyteti i Shkupit për spërkatjen kundër mushkonjave në territorin e Shkupit ishte më 3 korrik. Pas shtyrjes së afatit të parë, pritet që gjatë kësaj fundjave të filloj faza e parë e spërkatjes. Nga Qyteti i Shkupit lënë të hapur mundësinë për shtyrjen edhe të këtij afati në rast të ndryshimeve klimatike. Ndërkohë, vitet e kaluara në këtë periudhë është realizuar faza e dytë e spërkatjes.
/Alsat-M/