Presidenti Gjorgji Ivanov edhe zyrtarisht ka hequr të gjitha dilemat në opinion, duke konfirmuar se nuk do të nënshkruajë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë edhe pas votimit të dytë nga ana e Kuvendit. Nga kabineti i tij përgënjeshtruan sot konfirmimet e kryeministrit Zoran Zaev të dhëna në intervistën për televizionin greke ERT se shefi i shtetit do ta përkrahë marrëveshjen me Greqinë. Në njoftim theksohet se qëndrimi i presidentit Ivanov është i pandryshueshëm dhe se nuk do të ndryshojë, siç thotë nga asnjë lloj presioni, shantazhi dhe kërcënimi.
Kabineti i presidentit Gjorgji Ivanov
“Kryeministri Zaev me qëndrimet e tij të ndryshueshme, kontradiktore dhe konfuze vazhdon ta gënjejë dhe manipulojë opinionin e Maqedonisë, por edhe me atë grek dhe ndërkombëtar. Anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO, nuk duhet që të keqpërdoret për pranimin e një Marrëveshje të dëmshme me pasoja të paparashikueshme për shtetin e Maqedonisë dhe popullin e saj. Presidenti i Maqedonisë nuk e pranon Marrëveshje e cila është në dëm të identitetit kombëtar të Maqedonisë dhe në dëm të interesave të Republikës së Maqedonisë”.
Me këtë njoftim kreu i shtetit ka rikthyer situatën e paqartë e cila po përsëritet për herë të dytë pas rastit të ngjashëm që ndodhi me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Kushtetuta obligon presidentin që pas votimit të dytë të dekretojë ligjet me automatizëm. Por, gjatë brifingut të fundit me gazetarë, kryeparlamentari Talat Xhaferi i nxitur nga paralajmërimet e presidentit Ivanov, tha se veçmë janë duke menduar për një zgjidhje në një situatë të këtillë. Ai paralajmëroi se kësaj here nuk do të lejojnë që Ivanov të bllokojë ligjet e miratuara nga Kuvendi dhe se do të gjindet një zgjidhje e përbashkët si për marrëveshjen me Greqinë ashtu edhe për ligjin për përdorimin e gjuhëve. Kryeparlamentari Talat Xhaferi pranoi se shpallja në gazetën zyrtare e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, pa dekretimin e presidentit dhe vetëm me nënshkrimin e tij është një nga zgjidhjet e mundshme. Xhaferi nuk shpalosi opsionet e tjera, por jo zyrtarisht përflitet edhe mundësia që zgjidhja të kërkohet nga Gjykata Kushtetuese e cila do të duhet të jep interpretim se si të veprohet më tej në një situatë të këtillë. Pas miratimit të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, Qeveria ka paralajmëruar se do të fillojnë përgatitjet për organizimin e referendumit për ndryshimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Referendumi pritet të mbahet në fund të muajit shtator ose fillim të muajit tetor. Nga rezultati i referendumit dhe implementimi i marrëveshjes do të varet edhe debllokimi i proceseve integruese. Kusht për një referendum të suksesshëm është që në të të dalin mbi 50 përqind e trupit votues dhe më shumë se gjysma prej tyre të shprehen pozitivisht. Nëse arrihet ky rezultat atëherë shumica parlamentare do të fillojë procedurën për ndryshimin e emrit Kushtetues. Kjo procedurë realizohet në disa faza dhe pritet të zgjasë deri në katër muaj.