Të gjithë kompanitë që kanë investuar dhe kanë punësuar njerëz në vitin 2017, prej sot e deri në fund të qershorit mund të aplikojnë për të marrë mjete kthesë. Kështu ka deklaruar sot zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, i cili tha se diku rreth 30 milionë euro janë paraparë për këtë masë qeveritare. Çdo kompani, nëpërmjet kalkulatorit që u promovua sot, mund të bëjë përllogaritjet se sa mjete do t’u kthehen atyre, ndërsa mjetet e para pritet të lëshohen në shtator.
KOÇO ANGJUSHEV, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE
“Paratë janë determinuar në tre vende në buxhetin e Maqedonisë. Njëri vend është në Qeveri, do të thotë janë ndarë 15 milionë euro për momentin. Vendi i dytë është Agjencia për Punësime, ku do të shkojnë masa për përkrahje të punësimeve dhe vendi i tretë është në Fondin për Inovacione, ku janë caktuar mbi 15 milionë euro për ndërmarrjet e mëdha dhe të vogla”
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se procesi për reforma në sistemin e ndihmës shtetërore të kompanive është rrumbullakuar në një mënyrë transparente, nëpërmjet debateve publike, diskutimeve dhe në bashkëpunim me odat ekonomike dhe kompanitë.
KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË
18.34 Përmbyllëm një proces të gjatë, transparent dhe kështu u japim mundësi të gjithë kompanive që të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese por njëkohësisht të rrisin edhe numrin e punëtorëve. Siç e dini ne po punojmë fuqishëm të mundësojmë edhe rritjen e pagave me masa konkrete të cilat janë paraparë me këtë ligj.
Kompanitë kërkesat e tyre mund t’i bëjnë në mënyrë elektronike duke plotësuar formularin përkatës të publikuar në disa faqe të internetit: Në faqen e Qeverisë, atë të kabinetit të zv/kryeministrit Angjushev, Ministrisë së Ekonomisë, konkurentnost.mk.
Kompanitë që kanë investuar në vitin 2018, do të aplikojnë në mënyrë shtesë gjatë tërë vitit dhe për ata nuk ka afate, ndërsa do të marrin mjete vitin e ardhshëm. Enis Murtezi /SHENJA/