Lajmi për arritjen e marrëveshjes në lidhje me kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë
Lajmi për arritjen e marrëveshjes në lidhje me kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë është mirëpritur nga shumë zyrtarë dhe diplomatë të huaj. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Çarlls Garet, arritjen e marrëveshjes me Greqinë e ka cilësuar si lajm fantastik. Me këtë, ambasadori Garet beson se Maqedonisë do t’i hapen dyert për integrim në strukturat euroatlantike.
“Për rëndësinë e marrëveshjes, qartë flet ajo se menjëherë u përshëndet nga metropolet botërore, si Londra, Uashingtoni, Berlini si dhe porositë të cilat dje i dhanë njerëzit e mëdhenj të Komisionit Evropian dhe NATO-s. Shpresoj që kjo marrëveshje do t’i përshpejtojë proceset eurointegruese dhe do të kontribuojë për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve në mbledhjen e Këshillit të Evropës, ndërsa pastaj dhe ftesë për anëtarësim në NATO”,- deklaroi ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarlls Garet.
Shefi i Diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, gjatë takimit me homologun e tij grek, Nikos Kotziar, uroi e përgëzoi marrëveshjen. Ai tha se shpreson që marrëveshja për emrin e ri të Maqedonisë do të jetë në interes të Athinës dhe Shkupit dhe se do ta mbështesin qytetarët e të dyja vendeve.
“Gjithmonë kemi theksuar se jemi të përkushtuar për të gjetur një marrëveshje mbi këtë problem, pa ndërhyrje të jashtme, pa imponuar kushte të caktuara artificiale. Kemi thënë se do të mbështesim marrëveshje çka do të jetë në interes të Greqisë dhe Maqedonisë, dhe e cila do të ketë mbështetje të gjerë të popullit. Shpresoj se marrëveshja që është publikuar dje është ashtu”,– u shpreh shefi i Diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.
Pas shpalosjes së marrëveshjes të kryeministrit, Zoran Zaev, të menjëhershme ishin edhe reagimet e shumta të diplomatëve të huaj, të cilët marrëveshjen e arritur e vlerësuan si një hap historik, i cili do të ndihmojë për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Reagime pozitive kishte edhe nga krerët e shteteve shqiptare si nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po ashtu edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët përgëzuan Shkupin dhe Athinën për arritjen e marrëveshjes.
RTM 2