Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës nëpërmet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Senegal ka marrë informacione se dje, në lokalitetin Gao në Mali, është kryer një sulm terrorist mbi veturën e punëtorëve të kompanisë Ecolog, e cila është nënkontraktuese e Misionit Paqeruajtës të OKB-së, MINUSMA.
Sipas informacioneve të siguruara nga MPJ, nga sy sulm terrorist, ka mbetur i vrarë E.I. nga Tetova/Republika e Maqedonisë, ndërsa të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën kanë mbetur D.M., shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Fushë-Kosovë dhe B.L., gjithashtu nga Tetova.
MPJ është njoftuar se të plagosurit janë në transfer e sipër për shërim në spital në Dakar/Senegal, ndërsa tashmë i ndjeri E.I. është në ri-atdhesim e sipër.
Ambasada e Reublikës së Kosovës në Senegal dhe Ambasadori Gashi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në lidhje me sigurimin e informatave se ku do të vendosën të plagosurit dhe në momentin, që të sigurohen informacione të tilla ai pritet që t’i vizitojë ata në spital.
Ministria e Punëve të Jashtme sipas informacioneve të para të siguruara dyshon se sulmi është kryer nga Organizata Terroriste Boko Haram.
AFP bëri të ditur lajmin
Një shtetas shqiptar në Afrikë është vrarë me armë zjarri gjatë grabitjes së makinës së tij. Ngjarja ka ndodhur ditën e premte në Mali, shtet në Afrikën Perëndimore. Sipas agjencisë franceze të lajmeve “AFP”, shqiptari i vrarë ishte punonjës i kompanisë “Ecolog”, nënkontraktor i Misionit të OKB-së në këtë shtet.
Sipas AFP, gjatë tentativës për të grabitur makinën ku mbeti i vdekur shqiptari, u plagosën edhe dy kolegët e tij, një kosovar dhe një maqedonas.
Në grabitjen e mbetur në tentativë, dyshohet se morën pjesë katër persona. Ngjarjen e ka konfirmuar edhe Misioni i OKB-së në Mali.
“Mëngjesin e sotëm në Gao, automjeti që furnizon me ushqime në Minusma, u sulmua nga persona të armatosur. Shoferi i automjetit u vra, kurse dy pasagjerë u plagosën dhe po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Minusma në Gao. Minusma dënon ashpër këtë sulm”, tha misioni i OKB-së në Twitter.
Zyrtarisht nuk janë dhënë detaje të tjera për identitetin e shqiptarit të vrarë dhe dy personave të tjerë të plagosur. Kompania “Ecolog” ku punonte shqiptari, ka partneritet me OKB-në dhe agjencitë kombëtare e ndërkombëtare të mbrojtjes.