Sipas të dhënave zyrtare, numri i shqiptarëve të emigruar nga Maqedonia është mbi 500 mijë, shifër kjo që supozohet të jetë dyfish më e madhe. Por shanset për të forcuar lidhjet me vendlindjen që ofrohen nga institucionet shtetërore janë të vogla, si për të ruajtur traditat dhe kulturën, gjuhën amtare, por edhe për të krijuar kushte të favorshme për investime në vendlindje.
Furnizimi me tekste shkollore në gjuhën amtare është një prej kërkesave kryesorë që diaspora ia adreson Agjencisë së Emigracionit, institucionit që funksionon për të emigruarit jashtë Maqedonisë që të mos humbin lidhjet me vendlindjen, shkruan gazeta KOHA. Nga agjencia bëjnë me dije se një prej projekteve që është në përgatitje e sipër ka të bëjë me hartimin e disa teksteve shkollore adekuate në maqedonisht dhe shqip për të përmbushur nevojat e arsimimit të fëmijëve. Barrierat ligjore për porositjen e këtyre teksteve nga shërbimi pedagogjik i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë tejkaluar dhe nga fillimi i vitit të ri shkollor, shkollat në diasporë do të kenë mundësi të furnizohen me libra që janë pjesë e sistemit arsimor.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i shqiptarëve të emigruar nga Maqedonia është mbi 500 mijë, shifër kjo që supozohet të jetë dyfish më e madhe. Por shanset për të forcuar lidhjet me vendlindjen që ofrohen nga institucionet shtetërore janë të vogla, si për të ruajtur traditat dhe kulturës, gjuhën amtare, por edhe për të krijuar kushte të favorshme për investimin në vendlindje.
Pavarësisht ekzistimit prej shumë vitesh të Agjencisë së Emigracionit, e çeljes së ministreve të diasporës, si në Maqedoni, por edhe në Kosovë e Shqipëri, ende mungojnë politika e projekte të përbashkëta që do të afronin shqiptarët me vendet nga ato vijnë. Zëvendësdrejtori i kësaj Agjencie, Osman Shukriu, thotë se nevojat e diasporës pjesërisht mbulohen, me përjashtim vendet e Evropës, ndërsa në kontinentet e tjera asistenca është më e vogël. buxheti me të cilin disponon agjencia është i vogël, dhe sipas Shukriut, më shumë sesa me institucionet vendase kujdesi për diasporën shqiptare orientohet tek bashkëpunimi me dy ministritë e diasporës, të hapura në Kosovë dhe Shqipëri.
“Kam kërkuar që të paktën ne si shtet të mundësojmë mikpritjen e duhur në pikat e kalimit kufitar dhe të kenë trajtimin e duhur nga autoritet doganore. Po ashtu edhe me komunat duhet që të punohet për të ngritur zyra për diasporën, në mënyrë që gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit të kenë lehtësira në procedurat e ndryshme për dokumentacione. Ndërsa në kontaktet që kam pasur me ministritë e diasporës në Kosovë dhe Shqipëri, mundohemi të bashkëpunojmë për të koordinuar aktivitetet, sidomos furnizimin me tekste për nxënësit në shkollat plotësuese në gjuhën shqipe”, thotë Shukriu. Përfaqësues të diapsorës dhe aktivistë të çështjes shqiptare jashtë vendit pohojnë se falë politikave neglizhuese dhe mungesës së bashkëpunimit në disa vende ka ndodhur që shkollat në gjuhën amtare të mbyllen.
Ahmet Asani, inxhinier dhe veprimtar nga diaspora thotë se bashkëpunimi çalon jo vetëm në arsim e kulturë, por edhe në ekonomi.
“Diaspora shqiptare nga Kosova e Maqedonia ka nevojë për përkrahjen institucionale te shtetit te Kosovës dhe te Maqedonisë. Jo vetëm kaq, por është kohë e fundit Kosova e Maqedonia duhet të gjejnë forma bashkëveprimi për ta mbështetur diasporën e tyre në drejtim të ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare. Me politika e projekte të përbashkëta, Kosova dhe Maqedonia mund të ndikojnë shumë pozitivisht në përparimin dhe afrimin e diasporës me shtetet prej nga vijnë pjesëtaret e saj. Mungesa e bashkëpunimit, mungesa e projekteve të përbashkëta, mungesa e dorës institucionale në shkollën plotësuese për gjuhë amtare e në kulturë, ka bërë që në disa vende të mbyllen shkollat për arsim në gjuhen amtare. Por jo vetëm shkolla, arti dhe kultura në diasporë janë ato që duhet t’i preokupojnë dhe angazhojë shtetet tona që t’i dalin në ndihmë diasporës, por është ekonomia- janë remitencat e shumta të cilat duhet gjetur formë që të shndërrohen në fonde investive. Kush më mirë se dy Odat Ekonomike, ajo e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, në bashkëpunim me përfaqësues e specialistë të ekonomisë e financave nga vendi e diaspora mund ta bëjnë këtë fond të investimeve për të mirën e dy vendeve tona? Nevojitet një platformë e përbashkët bashkëpunimi e bashkëveprimi me diasporën”, thotë inxhinier Asani. (koha.mk)