Është i papranueshëm çdo regjistrim që nuk parasheh përkatësinë etnike të popullatës, sepse ky nuk është thjeshtë një operacion statistikor, por edhe një projeksion politik, ekonomik e social.
“Çdo regjistrim i popullatës në Maqedoni që do të realizohet në të ardhmen në regjistrin nuk do të ketë numërim të popullsisë edhe sipas përkatësisë etnike, jo vetëm për shqiptarët si popull në por as dhe partitë politike shqiptare ky regjistrim është i pa pranueshëm”.
Kështu shkruan ne statusin e tij në Facebok, akademiku Izet Zeqiri. Ai thotë së Maqedonisë i duhet regjistrim i popullsisë, i cili do të sigurojë një tabllo të saktë të shtimit të popullsisë në Maqedoni edhe sipas përkatësisë etnike, shkruan gazeta KOHA.
“Në shumicën e vendeve në çdo dhjetë vjet bëhet regjistrimi i popullsisë, ndërsa studime pilot bëhen edhe më shpesh. Shikuar historikisht, regjistrimet e realizuara deri tash në Maqedoni janë bërë në vitin: 1953, 1961,1971, 1981, 1991 (dhe 1994 mos pranimi i rezultateve) dhe regjistrimi i fundit i realizuar në vitin 2002 pas tri prolongimeve, prolongimi i parë ishte prej 1 Prillit të vitit 2001, i dyti prolongim ishte në vjeshtën e 2001 dhe i treti u caktua prej 1 Prilli të vitit 2002. Të gjitha këto prolongime janë bërë për arsye më të njohura për të gjithë për shkak të situatës pas luftës që ka mbretëruar në Maqedoni dhe mos besimit të shqiptarëve lidhur me definimin real të strukturës nacionale të popullsisë. Edhe regjistrim i 2011 dështoi duke u bazuar në problemet me të cilat hasen në këtë proces” shkruan akademiku Zeqiri.
Akademiku Izet Zeqiri më tej shkruan se është i domosdoshëm regjistrimi i popullsisë se statistikat demografike nuk kanë qenë tërësisht të përpikta deri tash dhe se shqiptarët nuk u kanë besuar të gjitha regjistrimeve të popullsisë.
“Shqiptarët nuk u kanë besuar statistikave shtetërore lidhur me numrin e popullsisë në ish-Jugosllavi po ashtu edhe në Maqedoni. Arsyet për këtë mosbesim qëndrojnë në mos transparencën dhe në mossigurimin e kushteve minimale teknike-organizative, juridike dhe politike për regjistrim nga ana shtetit. Shqiptarët nuk kanë pranuar të dalin në regjistrim ose pjesërisht e kanë refuzuar regjistrimin, sepse janë frikësuar nga manipulimet e ndryshme lidhur me numrin e popullsisë”, shkruan akademiku Zeqiri. Sipas tij jo vetëm shqiptarët si popull por edhe partitë shqiptare në Maqedoni njëherë e përgjithmonë duhet ta kuptojnë se regjistrimi i popullatës është shumë i rëndësishëm për strukturën nacionale të popullsisë në Maqedoni në zhvillimin ekonomik-shoqëror dhe politik.
“Në mënyrë të vazhdueshme duhet kërkuar një transparencë më të madhe në regjistrimin e popullsisë që të fitohet numri real i shqiptarëve në Maqedoni. Çështja e regjistrimit të popullsisë nuk guxon të sakrifikohet dhe të justifikohet pas formulës së “drejtësisë ndërkombëtare” se ai do të vëzhgohet nga Këshilli i Evropës dhe EUROSTAT-i. Regjistrimi duhet të ndiqet institucionalisht nga ekspertë shqiptarë të vendit, me qëllim që të mos ngadhënjejë sërish ai fat i “verbër” dhe i “padrejtë” historik lidhur me numrin e shqiptarëve në Maqedoni”, shkruan akademiku Izet Zeqiri.
Edhe demografi Abaz Islami thotë se çdo regjistrim pa deklarimin e përkatësisë etnike s’ka kuptim.
“Regjistrimi fundit i cili dështoi në vitin 2012 ishte pikërisht për shkak se grafa për përkatësinë etnike ua prishi elaboratin VMRO-DPMNE-së e cila me vite e kishte përgatitur që me çdo kusht të zvogëlojnë përqindje e shqiptarëve nga regjistrimi i viti 2002 edhe pse kishte manipulime të shumta ne teren që të mos regjistrohen shqiptarët. Ky regjistrim mund të jetë deri diku më i realt që tregoi se në Maqedoni jetojnë mbi 25 për qind shqiptarë e jo siç pretendonte VMRO-ja se jetojnë 17 për qind. Partitë shqiptare në pushtet dhe ato opozitare nuk duhet në asnjë mënyrë të lejojnë të realizohet një regjistrim i popullatës pa deklarim në bazë etnike dhe se jo vetëm që s’ka kuptim por që në start ende pa filluar regjistrimi do të dështojë”, thotë për KOHA demografi Abaz Islami.
Pohimet e fundit zyrtare për Regjistrimin që është paralajmëruar për vitin 2020, dhe informacionet se nuk do jetë grafa e posaçme që do ta përcaktojë identitetin e popullatës, për Aleancnë për Shqiptarët janë të papranueshme, dhe tentativë qe ky regjistrim të dështojë siç kane dështuar regjistrimet e mëparshme.
“Regjistrimi i popullatës është standard i BE-së, që i njëjti të bëhet në çdo 10 vite, Maqedonia, e ka shkelur këtë të drejtë, dhe jo rastësisht edhe PSP, ka ngritur dyshim ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmetit dhe atij të VMRO-së, Nikolla Gruevskit për keqpërdorim të pozitave të tyre, duke ndikuar në mosrealizimin e regjistrimit të popullatës. Përqindja e shqiptarëve, është element i rëndësishëm politik, që ndërlidhet me barazinë politike dhe ekonomike me maqedonasit. Ky element do të hapte rrugë që shqiptarët mos të trajtohen si përqindje por si etnitet shqiptar, me ç’rast edhe elementi i shtetformësimit do ishte më i realtë “, thotë për KOHën, Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët.
Ndërkohë, Tomisllav Tuntev deputetët i LSDM-së nënvizon se mirë që Maqedonia më në fund po bën përgatitjet për Eegjistrimin e popullatës, ndërsa sa i përket deklarimit të drejtorit të Entit Statistikor se në regjistrin nuk do të ketë grafë për përkatësinë etnike, e vlerëson si mendim të tij personal.
“Nëse bien dakord të gjitha partitë, atëherë Regjistrimi do të mbahet në prill të viti 2020 apo 2021 dhe se do të realizohet sipas standardeve ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Maqedonisë. Maqedonia nuk mund të jetë shtet i vetëm në botë që do të numërojë popullatën dhe nuk do të regjistrojë deklarimet e përkatësive etnike. Në Maqedoni nuk jetojnë vetëm maqedonas dhe shqiptarë, por edhe përkatësi tjera etnike të cilët e kanë të drejtën të deklarohen ashtu edhe siç ndjehen”, thotë Tomislav Tuntev, koordinator i partisë LSDM në pushtet. Ndërkaq nga Lëvizja BESA, tani partner koalicioni në Qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev, shprehen se në fillim duan t’i dëgjojnë argumentet se pse nuk duhet të figurojë kjo grafë.
“Parimisht mendoj se informacioni për përkatësinë etnike i ndihmon funksionimit të shtetit, sepse tashmë edhe disa norma juridike në Kushtetutë dhe në ligje janë sanksionuar pikërisht përmes përqindjes së bashkësive etnike. Sidoqoftë, të presim konfirmimin zyrtar dhe pastaj do të kemi qëndrim përkatës”, thotë Orhan Murtezani zëdhënës i lëvizjes BESA. (koha.mk)