Dhurata Ibrahimi nga Tetova për 25 vjet nuk arriti të marrë shtetësinë e Maqedonisë. Ajo ka lindur në Tiranë, por është e martuar në Tetovë. Dhurata thotë se arsyeja pse shteti nuk i ka dhënë shtetësi është se burri i sajë nuk posedonte shtëpi.
Për tu përkeqësuar situata akoma më shumë, burri i sajë ndërroi jetë dhe të gjitha shpresat tashmë ishin të shuara. “Shtetësinë prej se kamë ardhur këtu nuk e kam.
Prej 25 vjetësh që jam martuar nënshtetësinë nuk ma japin se burri im nuk ka pasur shtëpi. Shtëpia është e kunatit. Kunati edhe ai ka vdekur, kunata është me fëmijët. Ne jetojmë me një dhomë”, tha Dhurata Ibrahimi.
Për të tani alarmante është edhe gjendja ekonomike pasi pa të ardhura mujore duhet të kujdeset për 5 fëmijët e sajë. E pasi kishte parë kronikën në TV21 për gjendjen e kësaj familje, zëvendësministri i brendshëm Agim Nuhiu shkoi në shtëpinë e Dhuratës për t’i dalë asaj në ndihmë.
Ai mori përsipër kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për nxjerrjen e shtetësisë për zonjën e shtëpisë! Nuhiu u bëri thirrje gjithë qytetarëve të cilët kanë nevojë për mbështetje plotësuese për përgatitjen e dokumentacionit të paraqiten tek kabineti i tij.
“Atë që kam bërë në Tetovë kam bërë edhe në disa familje në Kumanovë. Dhe unë thash që i falënderojë mediat për mbështetje institucionale. Do doja të shfrytëzoj ekranin e shtëpisë suaj televizive për të bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe gjitha familjeve që kanë nevojë për mbështetje plotësuese institucionale për përgatitjen e dokumentacionit lirisht në të trokasin edhe në kabinetin tim”, tha Agim Nuhiu.
Për personat që nuk kanë shtetësi, vitin e kaluar foli edhe kryeministri Zoran Zaev. Ai kishte theksuar se deri në fund të vitit pjesa më e madhe e qytetarëve që tani janë fiktiv do të jenë të dukshëm për shtetin. /tv21/