Raund i ri i bisedimeve për kontestin e emrit me Greqinë pritet të fillojnë në orët e pasditës në Nju Jork të SHBA-ve. Shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitriov dhe Nikos Kocias do të kenë dy ditë kohë për të biseduar në afrimin e qëndrimeve për emrin e ri eventual të shtetit, nën mbikëqyrjen e ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, Metju Nimitc. Bisedimet në Nju Jork do të monitorohen nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto të fundit gjithashtu kanë shprehur interesim për një zgjidhje të shpejtë të emrit dhe zgjerim të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si dhe integrimin e shteteve ballkanike në BE. Ky është takimi i parë mes palëve pas refuzimit që i bëri Athina zyrtare propozimit të Shkupit, për ”Republika e Maqedonisë së Ilindenit”.
Në mediat greke mbizotëron një optimizëm se takimi në Nju Jork mund të jetë edhe final në kuptim të gjetjes së një emri i cili do të ishte i pranuesëm për të dy palët. “Maqedonia e Re” dhe “Maqedonia e Epërme” janë variante të mundshme për zgjidhje, të cilat sipas mediave sërish kthehen në tavolinë, pasi që Athina, në mënyrë indirekte, refuzoi propozimin për emrin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”. Sipas Qeverisë greke, duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme me përcaktim gjeografik dhe kohor, në kuadër të paketës së propozimeve të Nimicit.
Autoritet në Shkup ndërkohë kanë njoftuar se nuk heqin dorë nga propozimi “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, i cili, sipas tyre, reflekton multi-etnicitetin e vendit dhe si i tillë është i mirë për ta zgjidhur kontestin shumëvjeçar me Greqinë. Ndërkohë zv/ministri i jashtëm grek, Jorgos Katrugalos pyetjes nëse Athina e ka refuzuar propozimin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” tha se emri duhet të përmbush dy kritere: ta bëjë ndarjen e Maqedonisë historike nga shteti fqinj dhe të mos përmbajë elemente irredentiste. Gjithsesi për opozitën greke për të cilën Ilindeni nënkupton aspiratat për Maqedoni të Madhe, është e pakuptimtë se si Qeveria greke ka pranuar të bisedojë për një gjë të tillë.
Shefi i diplomacisë greke Kozcias dhe ai i Maqedonisë Nikolla Dimitrov, një ditë më parë gjithashtu në lidhje me zgjidhjen e çështjes së emrit kanë diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Besian Leka