Sot, më 9 Maj, në Ditën e Europës, Lëvizja BESA i kthehet kësaj date për ta theksuar jo vetëm rëndësinë e rrëfimit europian, integrimit dhe inkuadrimin në Bashkimin Europian, por edhe të vëmë re se 9 Maji është dita e ngadhënjimit mbi fashizmin.
“Kështu, synimi drejt shtigjeve të progresit dhe perspektivës së ndritur dhe beteja me ekstremizat dhe radikalizmat janë mësimi i mirë që të gjithë banorët e Europës, rrjedhimisht edhe ne, duhet ta marrim nga kjo ditë. Në të vërtetë, këto dy pika janë komplementare, sepse beteja me këto vese në fakt është virtyt europian, ndërsa integrimi është ambicie e të gjitha shteteve të rajonit për t’u bërë pjesë e unionit të shteteve të kontinentit më të vjetër, pra Bashkimit Europian”.
Lëvizja BESA rikujton se ajo mbetet e angazhuar në këtë rrugë dhe angazhimi i saj edhe në të ardhmen do të jetë i fokusuar në këtë drejtim.
“Ajo shumë herë ka theksuar dhe vazhdon të pohojë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të jetë një zgjidhje afatgjate për avancimin e demokracisë, vendosjen e shtetit të së drejtës dhe ngritjen e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të këtij rajoni të Kontinentit. Me këtë rast do të kujtojmë se 9 Maji e shënon edhe dyvjetorin e protestës së madhe në Shkup, që u mbajt më 9 maj 2016, nën moton ‘Dita D – Drejtësi, Dinjitet, Demokraci’, që – përveçse ishte protesta më e madhe shqiptare e organizuar në Shkup – ishte edhe një mesazh për orientimin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe për qëndrimin e tyre kundrejt shtetit dhe pushtetit në Maqedoni, që akoma lë shumë për të dëshiruar”, theksohet në komunikatën e Lëvizjes BESA, e kryesuar nga Afrim Gashi.