Derisa motivi për natën e përgjakshme të 27 prillit të vitit të kaluar është në zbardhje e sipër, viktimat e dhunës gishtin e drejtojnë tek policia dhe ish shefi i shtabit operativ Mitko Çavkov.. Sipas ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski, 27 prilli dëshmoi se shteti ishte i kapur ndërsa policia ishte në shërbim të interesave partiake.
“Zhvillimet e 27 prillit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë vunë në pah keqpërdorimet e Ministrisë së Brendshme për qëllime partiake. Ato nuk do të ndodhnin sikur të ekzistonte kontroll i pavarur ndaj ministrisë, për çka reformat tanimë janë në rrjedh e sipër dhe disa zgjidhje ligjore veç më janë miratuar ndërsa disa të tjera janë në procedurë parlamentare”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Në një vjetorin e tentim-vrasjes ndaj liderit të ASH-së, Ziadin Sela, ky i fundit bashkë me kryesinë partiake vendosi gur tek portat e Kuvendit duke shënuar kështu siç e quajtën ata “Ditën e sakrificës, dinjitetit dhe ndryshimit”.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi në një takim joformal me gazetarët duke mos dashur të komentojë zhvillimet e një vite më parë, theksoi shkurt se e gjitha që duhet të bëhet tani e tutje është që të mos lejohet të përsëritet një situatë e tillë. Subjektet tjera parlamentare heshtin. Derisa BDI dhe Lëvizja Besa nuk komentojnë, VMRO-DPMNE-ja si më e akuzuara për dhunën sot nuk u duk as në Kuvend.