Ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, gjatë fjalimit të tij në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i ka informuar eurodeputetët se të mërkurën në Vjenë do të fillojë një raund i ri bisedimesh ndërmjet ministrave të tij dhe shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijas, me ndërmjetësuesin, Metju Nimic. Duke sqaruar rrjedhën e deritanishme të bisedimeve, Dimotrov ka thënë se ata po bëjnë përpjekje maksimale për tejkalimin e paragjykimeve të së kaluarës.
“Asnjëherë nuk kemi pasur bisedime në këtë nivel, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë bisedojnë ministrat për punë të jashtme të të dy vendeve. Mendoj se kemi dritare të mundësive, nuk i di hapat tona të ardhshëm, por duhet të vazhdojmë të japim gjithçka nga vetja. Sa më pak politikë e brendshme e më shumë strategji, aq më shumë gjasa për të zgjidhur problemet. Nuk është lehtë, por mendoj se nuk kemi bërë mjaftueshëm në të kaluarën. Ka shumë paragjykime dhe enigma, por asnjëri nuk na ka thënë që do të jetë lehtë. Na mbetet ne që t’i luajmë gurët për të gjetur shansin”,- tha ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov.
I pyetur nga eurodeputetja greke se si është e mundur Maqedonia të zgjidh problemin, duke pasur për qëllim që të mos ndryshojë emrin kushtetues, DImitrov refuzoi të përgjigjet konkretisht, por tha se bisedimet nuk duhet të bëhen në sy të opinionit.
“Balancojmë në mes dy interesave. Duam që ta mbrojmë procesin, por edhe ta informojmë opinionin. Ka rrezik që qëndrimet të bëhen pozicione kombëtare, që pamundësojnë vazhdimin e bisedimeve. Të gjithë i dimë pozitat e të dy vendeve. Duhet të shikojmë në mënyrë kreative se a mund t’i zhvendosim elementet për të fshehur më të rëndësishmen për Athinën dhe Shkupin. Që të ndodh ajo, duhet më shumë të bisedohet, kurse pas marrëveshjes t’i elaborohet opinionit”,– theksoi ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Kjo ishte hera e parë pas tetë vitesh që një ministër i Maqedonisë mban fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Hera e fundit ishte në vitin 2010, në kohën kur Maqedonia kryesonte me Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.