Bit Pazari do të jetë një ndër tregjet më të mira në Ballkan. Kështu vlerëson Kryetari i Shoqatës së Pazarxhinjëve, Ekrem Dolek, i cili informoi se tashmë ka filluar ndërtimi i tij dhe i njëjti do të zgjasë rreth 12 dhe 14 muaj. Dolek nënvizoi se investitor është vetë pronari, kompania “Skopski Pazar” dhe për këtë arsye nuk shpalosi se sa do të kushtojë ky projekt. Qëllimi i Shoqatës së Pazarxhinjëve është që të përmirësohen kushtet nëpër tregje, e sidomos në Bit Pazar, pasi ai është tregu më i frekuentuar.
https://youtu.be/MyXoMoI_tjg
Dolek thotë se shteti kërkon standardet Hasap, por sipas tij asnjë treg në Maqedoni nuk i plotëson ato kushte, duke shtuar se pritet që të përmirësohen kushtet nëpër të gjitha tregjet në gjithë vendin. Ai nënvizoi se nëpër qytetet tjera tregjet menaxhohen nga komunat dhe është më e lehtë që të arrihet qëllimi, ndërkaq kompania e cila ekonomizon me tregjet e gjelbra në qytetin e Shkupit është privatizuar.
EKREM DOLEK, KRYETARI I SHOQATËS SË PAZARXHINJËVE
“Bit Pazari ka qenë geto, lirisht mund ta quaj ashtu, një vend jashtëzakonisht jashtë standardeve të mundshme të RM. Por për fat të mirë, pas një angazhimi disa vjeçar, ne si organizatë që I përfaqëson interesat e pazareve, bashkë me komunën e Çairit dhe institucionet e tjera ia kemi arrit që më në fund edhe realisht ka filluar ndërtimi i Bit Pazarit, sipas projektit edhe kërkesave që janë bërë, që duhet të plotësohen kushtet minimale, higjiena teknike për veprimtarinë e tezgaxhinjëve nëpër pazare, por njëkohësisht duke u bazuar në atë se pazari duhet të jetë një mjedis i këndshëm për myshterinjtë, njerëzit që gravitojnë në Bit Pazar dhe rreth Bit Pazarit. Do të jetë një ndër tregjet më të bukura dhe më të mira në Ballkan.”
Ai informoi po ashtu se prej tani, regjistrimi i tezgaxhinjëve në nivel republikan nuk do të bëhet nëpërmjet regjistrit qendror, por direkt nëpërmjet licencave.
EKREM DOLEK, KRYETARI I SHOQATËS SË PAZARXHINJËVE
“Tezgaxhinjtë në nivel republikan në territorin e gjithë Maqedonisë, nuk do të regjistrohen nëpërmjet regjistrit qendror, që sipas mendimit tonë dhe sipas statistikave tona ishte një ngarkesë e panevojshme për tezgaxhinjtë, sidomos ngarkesë burokratike dhe i ngarkojke tezgaxhinjtë me harxhime të panevojshme. E njëjta gjë ju dha mundësia me regjistrimine me liçenca që me harxhime shumë më të vogla me të njëjtin efekt, të legalizohen, të hyjnë në kornizat e ligjeve të Maqedonisë dhe ashtu ta kryejnë veprimtarinë e tyre, mbi baza ligjore pa asnjë problem në të ardhmen”
Situata nëpër tregjet e vendit, sidomos në atë të Bit Pazarit është kaotike tashmë një kohë të gjatë dhe me një gjë të tillë bëhet shkelje e të drejtave të njeriut. Ndërtimi, gjegjësisht moderinizimi i tregut të Bit Pazarit është premtuar vite me radhë. Ajnur Bafqari /SHENJA/