Brukseli vlerëson se Maqedonia është e përgatitur në mënyrë të matur në bujqësi dhe zhvillimin rural. Rekomandohet që në vitin 2019, shteti të angazhohet më shumë për tërheqjen e mjeteve IPARD 2, por një pjesë e madhe e bujqvë në vend as që e dijnë se për cfarë komponenti bëhet fjalë.
Nga Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrim Evropian (OBRIE) thonë për agjencinë e lajmeve INA se, sidomos bujqit apo fermerët në venbanimet shqiptare pak janë të informuar për këto fonde që ndihmojnë zhvillimin rural.
“Fondet e BE-së në kuadër të Programit IPARD i jepen fermerëve dhe agropunuesve në formën e granteve me dy objektiva kryesore: Përmirësimin e aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve si dhe
zbatimin e standardeve të BE-së në fushat e : Sigurisë së cilësisë ushqimore, Shendetit të kafshëve dhe bimëve, Mbrojtjen e mjedisit, Mireqenies te kafshëve dhe Sigurisë së punonjësve në punë”,theksojnë nga OBRIE.
Kryetari i kësaj organizate, Muhamer Pajaziti thekson për INA se, programi i zhvillimit rural përmban kriteret, standardet dhe kushtet që shumica e aplikuesve nuk janë në gjendje ti plotësojnë.
“Aplikuesit duhet të dëshmojnë se i përmbushin standardet minimale lidhur me mbrojtjen e mjedisit, shëndetit publik, shëndetit të kafshëve, bimëve etj. Ata gjithashtu duhet të përgatisin Plane Biznesi që parashikojnë analizën SWOT dhe shumë pikat tjera përmbajtësore që kërkojnë dije dhe
eksperiencë. Bujqit duhet të provojë që nuk ka taksa, siguracione shoqërore të papaguara dhe detyrime të pashkyera kundrejtë shtetit.
Ndërsa, në rastet e ndërtimit ose rikonstruktimit së bashku me planin e biznesit duhet të paraqitet edhe dokumentacioni teknik për planet e ndërtimit/rikonstruktimit” , thekson Pajaziti.
Ai thekson se, këto janë vetëm disa nga kushtet, që paraqiten si mision i pa mundur për bujqit pa ndihmën, konsulencën dhe ekspertizën e ofruar nga shteti apo nga agjenci të specializuara që merren me përgatitjen e projekteve.
“Institucionet kompetente shumë pak kanë bërë në senzibilizimin e opinionit publik për rëndësinë e këtyre fondeve, vlera e të cilëve mund të shkoj për një projekt nga 50 mijë euro deri në 1 milion euro. Ato ndihmojnë modernizimin e fermave, thertoreve, në përpunimin e frutave dhe perimeve, e kështu me rradhë..”, thotë drejtuesi i OBRIE.
IPARD 1 ka përfunduar më shfrytëzim prej 17 për qind të mjeteve të disponueshme për periudhën 2007-2013. Aftësia për tërheqjen e IPARD II, mbetet sfidë për shkak të aplikimeve jo të kompletuara dhe proceset e gjata të negocimit. (INA)