Optimizëm para negociatave të së enjtes midis Maqedonisë e Greqisë për emrin. Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov theksoi se procesi është në fazë delikate, por se shpreson që fryma e Ohrit do të ndihmojë në tejkalimin e dallimeve rreth kontestit shumëvjeçar.
Çështja është aq e rëndësishme sa në thelb të gjitha raundet e negociatave janë të vështira, kështu që kuptohet pres biseda thelbësore. Shpresoj në progres. Mendoj se sjellja e Maqedonisë dhe fqinjit, Greqisë sinjalizon se procesi është në një fazë delikate dhe jemi të fokusuar pikërisht në këto biseda. Shpresoj të na ndihmojë fakti se ky raund do të mbahet pikërisht në Ohër dhe shpresoj të na ndihmojë fryma e kësaj perle tonë – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocijas i cili vjen në Ohër pas vizitës në Beograd theksoi se palët kanë kuptuar esencën e kompromisit.
Çelësi i zgjidhjes së çështjes është realizmi, pragmatizmi dhe ideja se ne duhet të bëjmë kompromise, jo të rrejshme, por kompromise nga të cilat do të përfitojnë të dy palët. Kompromisi nënkupton se të dy palët duhet të kuptojnë se nuk mund të kenë gjithçka, por se të dy palët patjetër të kenë dobi. Shpresoj se kjo është kuptuar nga të gjitha palët në negociata dhe se do të shohim zhvillime pozitive – tha Nikos Kocijas, Ministër i Jashtëm i Greqisë.
Në takimin Dimitrov- Kocias, i treti brenda muajit pritet që të hidhet “hapi i madh” drejt zgjidhjes. Pas çka nuk përjashtohet mundësia që të mbahet edhe një takim kryeministrash.