Rikualifikimi i lëndës për vrasjen e katër vjeçarit Almir Aliu, nga Boban Iliç dhe lirimi i këtij të fundit nga paraburgimi është cilësuar si vendim skandaloz nga opozita shqiptare, e cila thekson se u tregua se sa pak respektohet në Maqedoni jeta e qytetarit, por gjithashtu edhe dështimi i shtetit në realizimin e reformave në drejtësi, ende pa nisur mirë me të njëjtat.
Kryetari i ASH, Ziadin Sela, kërkon nga prokurorët shqiptarë në Prokurorinë Republikane, të cilët janë distancuar nga ky vendim i Prokurorisë së Themelore Publike në Kumanovë, që të mos reagojnë me letra, por me vepra dhe të kthejnë pas hekurave Boban Iliçin, i cili ende pa kaluar derën e burgut i kërcënohet gazetarit të TV21.
“Ju bëj apel të gjitha strukturave, ministrit të drejtësisë që të marrë masa sa më shpejt ose në qoftë se është ipafuqishëm të jap dorëheqje si akt moral. Nuk kemi nevojë për letra publike të prokurorëve shqiptarë, të ashtuquajtur, për të sqaruar opinionin për të pabërat dhe pisllëqet e veta. Kemi nevojë që të marrin akte konkrete . Ata duhet ta bëjnë këtë të paktën si akt moral, jo të udhëhequr etnikisht. Ky është kulmi i mosrespektimit të jetës së tjetrit. Ku edhe vdekja e një fëmije, gjykimi për këtë rast merr konotacion etnik, ky është alarmi për drejtimin në të cilin po shkon kjo shoqëri”- tha lideri I ASH, Ziadin Sela.
Një vendim i tillë skandaloz për lirimin nga paraburgimi të Boban Iliçit dhe rikualifikimi i lëndës nga “vrasje” në “ aksident në komunikacion” është rezultat i punësimeve të zyrtarëve shtetërorë, të cilët ende përzgjidhen sipas përkatësisë etnike, reagojnë nga Lëvizja BESA. Nga kjo Lëvizje theksojnë se me kërcënimin ndaj gazëtarit, Boban Iliç tregon se s’pendohet për veprën që ka bërë duke lënë të kuptohet qartë se është individ i rrezikshëm për shoqërinë.
“Përveç punësimeve të zyrtarëve shtetërorë, të cilët ende përzgjidhen sipas përkatësisë etnike, dje gjykata edhe një herë dëshmoi se në Maqedoni edhe drejtësia funksionon sipas kritereve etnike. Kur bëhet fjalë për shqiptarët, gjykatat dinë të japin edhe dënime me burg të përjetshëm, madje edhe pa asnjë dëshmi, ndërsa kur bëhet fjalë për një vrasës fëmije, edhe pse ekzistojnë dëshmi dhe video ku shihet akti makabër, ai lirohet vetëm sepse është maqedonas. I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që sa më parë ta korrigjojnë vendimin skandaloz dhe këtë vrasës ta kthejnë prapa grilave, aty ku edhe e ka vendin, sepse ai është njeri i rrezikshëm”- thotë kryetari i Lëvizjës BESA, Afrim Gashi.
Rreth rrjedhës që mori ky rast kanë reaguar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Deputeti Artan Grubi e ka cilësuar si mendësi tmerruese vendimin e gjykatës për rikualifikimin e lëndës.
“Skandaloz vendimi i sotëm në procesin gjyqësor për rastin e Almirit. Asnjë reformë ligjore nuk mund ta ndryshon këtë mendësi tmerruese të atyre që duhet të zbatojnë sundimin e së drejtës”, ka shkruar Grubi.
Gjatë ditës së sotme Kryeprokurori Jovevski, i zgjedhur me votat e shumicës parlamentare BDI-LSDM, tha se do të marrë masa disiplinore ndaj prokurorëve shqiptarë në Prokurorinë Republikane që distancohen nga qëndrimi i Prokurorisë së Themelore Publike në Kumanovë. Prokurorët Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta thonë se qëndrimin e tillë e kanë mbajtur që në fillim kur lënda ishte referuar në Prokurorinë Republikane .
Joveski tha javë më parë para deputetëve se rikualifikimi I lëndës ka ardhur për shkak të pamundësisë për të vërtetuar paramendimin tek i akuzuari.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Pamje: Alsat M
Almakos.com