Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët Orhan Gafuri u radhit sot me këshilltarët e VMRO DPMNE-së në këshillin komunal të Sopishtës, duke votuar pro vendimit për vendosjen e përmendores së Qoses në këtë komunë. Pavarësish se u bë pendua 2 orë më vonë për votën e tij, vendimi i këshillit veçse u vulos që përmendorja e sapo shkulur nga hapësira para pallatit të Gjykatave të Shkup, të vendoset në rrethrrotullimin e kësaj komune.
Unë kam votuar kundër Qoses dhe jam edhe si parti ASH, po edhe unë si këshilltarë i ASH-së jemi kundër vendosjes së figurës së Qoses në komunën e Sopishtes. Kam votuar kundër dhe kam kërkuar nga kryetari i komunës dhe nga kryetari i Këshillit që nëse është e mundur një seancë tjetër sa më shpejtë që ta dëshmojmë se unë jam kundër, para opinionit edhe para gjithëve – deklaroi Orhan Gafurri, këshilltar i ASH-së.
Pas vendimit të vulosur në këshillin komunal, Aleanca për Shqiptarët reagoi menjëherë duke u distancuar nga vota e këshilltarit të saj, duke kërkuar madje edhe masa disiplinore ndaj tij.
Dënojmë rastin e sotëm për dislokimin e Bustit të Qoses në Komunën e Sopishtes, njëkohësisht distancohemi publikisht nga këshilltari i Aleancës për Shqiptarët i cili ka votuar për një veprim të pamatur dhe të pa justifikueshëm. Njëkohësisht informojmë opinionin se ditët në vijim Komisioni Disiplinor i Aleancës për Shqiptarët do të shqyrtojë një vendim për përjashtimin eventual të këshilltarit në fjalë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët – thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Kundër vendimit votuan vetëm 3 këshilltarët e LSDM-së dhe një i PDSH-së të cilët deklaruan se kjo nismë është provokim dhe ndarje mes popullatës shqiptare dhe maqedonase në këtë rajon.
Qëndrimi jonë lidhur me këtë vendim është kundër sepse krijohen ndarje mes shqiptarëve dhe maqedonasve, po e ndajmë popullin në vend se ta bashkojmë. Mendimi im është se me këtë përmendore vetëm se prishet besimi I popullatës dhe jo vetëm kaq, kjo do të shkaktojë implikime shtesë drejt komunës Sopishtë për shkak se sigurisht duhet të ndërtohet bazamenti dhe të rregullohet ai vend – tha Sashe Stojnovski, këshilltar i LSDM.
Pa marrë parasysh edhe pse këshilltari i aleancës për shqiptarët Orhan Gafuri votoi pro për këtë vendim, unë propozoj që mos ta vendosin këtu sepse është provokim – tha Bajram Bajrami, këshilltar i PDSH-së.
Për kreun e këshillit komunal, nga radhët e VMRO-së, vendimi është se Qose është vlerë e rëndësishme historike e maqedonasve.
Përmendorja e Andon Qoses nuk do të lejojmë të tretet, ai me krenari do të vendoset në komunën Sopishtë ndërsa banorët e kësaj komune do të kenë përmendore të kësaj figure të rëndësishme historike. Ne si komunë para të tjerëve tregojmë se i japim prioritet ndërtimeve dhe jo rrënimeve – deklaroi Jane Mickovski, kryetar i këshillit komunal Sopishtë.
Përfaqësuesit e Shoqatës nga Lerini që njëkohësisht është edhe donatore e përmendores së Qoses nuk ishin të kapshëm për Alsat për të sqaruar nëse do t’ia dhurojnë komunës Sopishtë. Përmendorja e Qoses u shkul pak ditë më parë, me vendim nga Qyteti i Shkupit.
Melihate Rustemi
https://youtu.be/57a7sYZiXdU