NUMRI I TELEFONIT: 070 847 544
XHIRO LLOGARIA: 270-7000306726.10 (Halk Bank)
Kjo është Hasie Emini, nënë e dy fëmijëve. Përveç brengave të përditshme si të çdo prindi për fëmijët e saj, ajo ka një hall edhe më të madh, se si të sigurojë një kulm mbi kokë e të mos përfundojë rrugëve në këto ditë të ftohta dimri. Në kalendar ajo numëron ditët se kur duhet ta lëshojë shtëpinë, dyert e të cilës ia ka hapur një bamirës por që tani do ta shesë pronën.
“Ka 12 vjet që na ka lënë këtu pa na marrë qira. Tani doli në shitje ndërsa unë nuk kam zgjidhje. Ai më tregoi se duhet ta liroj shtëpinë më 5 ose 6 mars. Unë mund të mbetem edhe në rrugë, nëse nuk ma zgjat dorën ndonjë donator, familjar, kushdo që të jetë, që t’më gjejë zgjidhje, ta fusim diku kokën se në këtë dimër të ftohtë, e shihni edhe vetë, po bie borë, e unë mund të mbetem në rrugë”, tha Hasie Emini.
Hasia rrëfen se tani për tani nuk ka asnjë të ardhur stabile. Merrte ndihmë sociale por të njëjtën ia kanë ndërprerë për shkak të donacioneve që ia kanë dërguar. Bashkëshorti bën punë të ndryshme, tregon Hasija, por të ardhurat nga shitjet në dorë ose pastrimi, nuk mjaftojnë për të grumbulluar para të mjaftueshme për qira ose për të blerë një tokë, e për të ndërtuar shtëpi.
“Me izën të Allahut, nëse del ndonjë donator, ndonjë faqebardhë, për hatrin e këtyre dy fëmijëve të mos mbeten në rrugë. I kisha lutur, anembanë ku janë. Burri del, mundohet, punon por nuk ka më shumë mundësi. Ka problem me sistemin nervor, me ilaçe. Mundohet, e sjellë një kafshatë bukë, por për qira e gjëra të tilla, kemi financim shumë të dobët”, shtoi ajo.
Përveç këtij halli, zonja e shtëpisë na tregoi se duhet ta shtrojë në spital djalin e saj te vogël, për ndërhyrje kirurgjike, por ka frikë ta bëjë një gjë të tillë sepse as vetë nuk e di se ku do të përfundojë. E lam duke i futur rrobat nëpër kuti, e gatshme për t’u shpërngulur në çdo moment, e për të plotësuar dëshirën e vetme të Erkanit, djalit të saj të madh.
“Kam dëshirë ta kem një shtëpi të mirë, vetëm të mos fle në rrugë”, u shpreh Erkan Emini.
Tani për tani, e vetmja gjë që e mban ngrohtë Familjen Emini, është shpresa për një shtëpi, në të cilën do të rrinin rehat, pa drojen se një ditë mund të përfundojnë në rrugë.