Akademia greke e shkencave dhe arteve përmes kumtesës i komenton bisedat për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, duke cekur se nevojitet marrëveshje sepse është në interes të të dy vendeve, por si parakusht përmend ndryshime kushtetuese.
Në kumtesën e publikuar nga mediumet greke, Akademia në vend të referencës së përkohshme IRJM, për vendin tonë e shfrytëzon frazën “shteti i Shkupit”, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Athina.
“Akademia vëren se parakusht i domosdoshëm për çfarëdo lloj marëveshje për emrin e shtetit të Shkupit duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës, braktisja e kërkesave irredentiste (libra mësimor, harta gjeografike, përmendore të Aleksandrit të Madh etj.) dhe përvetësimit të historisë, kulturës dhe simboleve të vendit tonë. Vendbanimi i një populli nuk e cakton identitetin e tyre. Zvarritja e çështjes së pazgjidhur nuk është në interes të të dy vendeve”, ceket në kumtesën që e transmetojnë mediumet greke dhe e komentojnë si një ndër reagimet dhe rastet e rralla kur Akademia merr qëndrim.