Recetë për dështim është që negociatat të zhvillohen përmes mediave në Maqedoni dhe në Greqi.
Ky është qëndrim i zv/kryeministrit për euro – integrime, Bujar Osmani, i cili mendon se nëse në këtë moment dalin në opinion detaje, procesi do të dëmtohet. Për këtë arsye, qeveritë e të dy vendeve nuk do të zbulojnë detaje para qytetarëve.
“E di se jemi nën presion të opinionit, e di se qytetarët janë duke pritur, e di se është në frymën e transparencës. Megjithatë, më besoni se model për dështim janë negociata që zhvillohen në opinion dhe para kamerave”, tha Osmani.
Me qëndrim të njëjtë dje doli edhe kryeministri Zaev i cili tha se 3 nga 7 pozitat fillestare të negociatave u mbyllën. Edhe pse nuk zbuloi detaje, ai deklaroi se bëhet fjalë për pikat më të thjeshta, krahasuar me 4 pikat e tjera të cilat ende nuk janë zgjidhur. Si Osmani ashtu edhe Zaev tha se publikimi i detajeve në publik nuk do të japë rezultate pozitive, përkundrazi, mund t’i shkaktojë dëm procesit të negociatave.
Nga ana tjetër, Andreja Stojkovski nga Qendra e Maqedonisë për edukim evropian, tha se detyra më e vështirë për Maqedoninë, në qoftë se e zgjidh kontestin dhe i fillon negociatat me BE-në, do të jetë sundimi i së drejtës. Si shembull ai e theksoi termin “shtet të robëruar” i cili tani vlen për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të cilët janë kandidatë për hyrje në BE, i cili për të parën herë u shfrytëzua për Maqedoni, në vitin 2015.
“Në strategjinë shfrytëzohet termi “shtete të robëruara”, duke aluduar për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Nëse mendojmë mirë, në vitin 2015, termi “shtet i robëruar” për herë të parë ishte përdorur për Maqedoni”, Andreja Stojkovski, QMEE.
Negociatat mes të dy vendeve zyrtarisht filluan me takimin në Vjenë mes shefave të diplomacive, Dimitrov dhe Koxias me ndërmjetësuesin Metju Nimic. Pritet që negociatat të vazhdojnë në Sofje në margjinat e takimit të ministrave të BE-së.