Në vend që të debatojnë për konstatimin e përgjegjësisë së gjykatësve, Këshilli Gjyqësor filloi seancën me debatin për raportimin që u bë në media rreth numrit të përgjithshëm të ankesave të dorëzuara për përgjegjësinë e gjykatësve.
Anëtari i Këshillit Gjyqësor, Vllado Bogdanovski, me këmbëngulje kërkoi të debatohet rreth vlerësimeve gazetareske që janë bërë në të kaluarën për këtë këshill dhe për akuzat e publikuara ndaj tij se kinse ai është “krimineli” dhe “xhelati” i sistemit gjyqësor dhe për numrin e kërkesave për shkarkim të gjykatësve, të cilën mediat e përcollën pa e konfirmuar.
“Nuk është e vërtetë se mbi 100 gjykatës janë para shkarkimit të tyre, siç raportuan disa media në të kaluarën. Për këtë arsye kërkoj për këto dhe materialeve tjera gazetareske këshilli të diskutojë dhe të marrë një qëndrim”- deklaroi anëtari i këshillit gjyqësor, Vllado Bogdanovski.
Edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski, hodhi poshtë spekulimet se deri tani janë dorëzuar mbi 100 kërkesa për konstatimin e përgjegjësisë së gjykatësve. Ai kërkoi nga gazetarët të mësojnë të bëjnë diferencën mes kërkesave të dorëzuara për përgjegjësi dhe parashtresave të qytetarëve e t’i konfirmojnë informacionet para publikimit të tyre.
“Deri në këto momente në Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë janë dorëzuar gjithsej pesë kërkesa për konstatimin e përgjegjësisë të gjykatësve dhe nga ana tjetër janë parashtruar 217 parashtresa tjera të qytetarëve që ankohen për punën e gjykatësve, mirëpo dëshiroj të sqaroj se këto të fundit nuk kanë të bëjnë me kërkesat e dorëzuara për konstatimin ose shkarkimin e gjykatësve”,- u shpreh kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski.
Këshilli Gjyqësor tani do të duhet të definojë procedurën e mëtejme të veprimit të kërkesave për konstatimin e përgjegjësisë së gjykatësve, të përcaktojë anëtarët të cilët do të përfaqësojnë këto kërkesa pasi që Komisioni për Verifikimin e Fakteve, i cili dorëzoi një pjesë të madhe të kërkesave për përgjegjësin e gjykatësve, më nuk ekziston. Edhe parashtresat e qytetarëve gjithashtu do të shpërndahen tek anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe të njëjtat do të procedohen, premton Karaxhovski./al.mrt/